Shoqëria Kastrati ndodhet në pozita monopoli sa i takon tregut të karburanteve. Këtë e tregon qartë mungesa e pjesëmarrjes së subjekteve të tjera në tenderat e institucioneve për furnizim me karburant.
Emisioni investigativ Xhadat, ka publikuar dy procedura të reja tenderimi nga të cila fituese ka dalë sërish kompania Kastrati.
Pak javë më parë, Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar tenderin me objekt “Blerje karburant për nevoja të viteve 2023 – 2024”, me fond limit 248 milionë lekë, ku fituese është shpallur shoqëria Kastrati shpk, si i vetëm në garë, pra pa garë, me vlerë kontrate sa 100% e vlerës së fondit limit.
Nëpërmjet të njëjtës skemë si Kuvendi, edhe Posta Shqiptare sha ka zhvilluar tenderin me objekt “Blerje Karburanti (Gasoil dhe Benzinë) për Automjetet”, me kohëzgjatje 12 mujore, me fond limit 677 milionë lekë.
Edhe në këtë rast fituese është shpallur shoqëria Kastrati shpk, si i vetëm në garë pra pa garë me vlerë sa 100% e vlerës së fondit limit.
Shpesh janë kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktor ato që paracaktojnë dhe fituesin.
Një nga kriteret që duhet të përmbushin ofertuesit në rastin e mësipërm ishte:
. Operatori ekonomik ofertues duhet të paraqesë listën e stacioneve të shitjes së karburanteve me pakicë sipas adresave të kërkuara nga Autoriteti Kontraktor, ku në Bashkit Tiranë, Kamëz, Vorë (të treja së bashku) të kenë minimumi 5 (pesë) stacione, si dhe në të gjitha qytetet ku ndodhen autoritet kontraktor, dhe konkretisht - Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Lushnjë, Berat, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë, Përmet, Korçëe, Pogradec, Kolonjë, Elbasan, Librazhd, Shkodër, Koplik, Lezhë, Pukë, Burrel, Kurbin, Dibër, Mirditë, Kukës, Tropojë dhe Has.
Pak kohë më parë Xhadat denoncuan dhe tenderat e zhvilluar ndër vite për blerjen e karburantit për fermerët nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku subjektit Kastrati ju dhanë dhe 24.12 miliard lekë të tjera pa garë.



