Për deputeten e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhin dalja publike e biznesmenit në kërkim, Mirel Mërtiri është për të larguar vëmendjen nga afera korruptive e kryebashkiakut Veliaj, i cili është një nga njerëzit kryesorë që është kapur mat me shkresa dhe dokumenta si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës.
E ftuar në edicionin e lajmeve në MCN Tv, Kryemadhi tha se Mërtiri është vetëm një hallkë e përdorur nga qeveria, dhe nëse nuk do të ishte ai Rama do të gjente dikë tjetër.
Për mua ishte për t’ju hedhur hi syve dhe për të larguar vëmendjen nga Erion Veliaj dhe për të shkuar te Mirel Mërtiri.
Mërtiri është një hallkë që është përdorur nga skema e qeverisë shqiptare. Ai është biznesmen, Rama do hiqte një Mirel Mërtiri, do gjente një Mirel Mërtiri tjetër. Nuk është problemi tek Mirel Mërtiri. Mërtiri është një person në kërkim nga drejtësia shqiptare.
Drejtësia shqiptare është ajo që duhet të kthejë përgjigjen, nëse drejtësia shqiptare ka dijeni që është në Austri dhe nuk reagon është çështje e tyre. Unë nuk kam punuar ndonjëherë në sistemin e drejtësisë. Nuk mund t’ia diktoj punën prokurorisë.
Intervista e djeshme është për të larguar vëmendjen nga afera korruptive e Veliajt, i cili është një nga njerëzit kryesorë që është kapur mat me shkresa dhe dokumente.
Kryemadhi tregoi se firmat e ndërtimit janë kërcënuar për të hedhur dherat në një zonë prej 15 hektarësh, e cila është territor i bashkisë së Tiranës.
Edhe denoncimi i para një jave që ka të bëjë me ndërtimin pa leje, pra me depozitimin e dherave në territor të bashkisë së Tiranës. Janë 15 hektarë, ose 30 fusha futbolli të cilat janë depozitime dherash të cilat kanë ardhur si rezultat i kërcënimit që i është bërë firmave të ndërtimit për të depozituar dherat në këtë territor. Dhe ku janë depozitar dherat? Në territorin e bashkisë së Tiranës. Para 3 ditësh u arrestuar një zotëri 65 vjeç se depozitoi një kamion me dhe në territorin e vet. Edhe SPAK e ka shumë të thjeshtë për të matur volumin e asaj çfarë ka ndodhur. Në këtë zonë prej 15 ha, nëpërmjet izoipseve që administron Agjencia e Fotografimit satelitor të Territorit e cila kontrollon territorin jo vetëm të Shqipërisë, nëpërmjet izoipseve nxjerr m3 të volumit. Aty nuk janë 60 milionë eurot që kanë ardhur nga dherat që vijnë përmes të ardhurave tatimore, por qindra miliona euro që janë shkëmbyer në përfitime, nëpërmjet apartamenteve me klering apo parave të tjera.



