
SHBA kanë bërë disa ndryshime në planin e paqes për Ukrainën. Shtëpia e Bardhë deklaroi se bisedimet e zhvilluara në Gjenevë kanë shënuar përparim të rëndësishëm dhe se drafti është ridefinuar për të garantuar sovranitetin e Ukrainës.
Megjithatë, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, tha se problem mbetet kërkesa e Vladimir Putinit për njohjen ligjore të territoreve të pushtuara.
Lidhur me këtë zhvillim, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Emilio Çika, në një analizë për “MCN Live”, u shpreh se pavarësisht dinamikave amerikano-evropiane, çelësi i situatës mbetet pozicioni i Rusisë, pasi ajo vendos kushtet kryesore të marrëveshjes.
Drafti aktual i paraqitur nga SHBA përfshin 19 pika, të cilat prekin elemente të rëndësishme të zgjidhjes, shkëmbimi ose njohja e territoreve, nëse Ukraina do t’i njohë ato zyrtarisht (de jure) apo vetëm në fakt (de facto), formati i ri territorial i Ukrainës pas marrëveshjes dhe garancitë e sigurisë dhe mënyra si do funksionojnë në praktikë.
Këto janë çështje që duhet të debatohen politikisht në nivelet më të larta.
Sipas Çikës, bisedimet e deritanishme në Gjenevë kanë qenë teknike, ndërsa vendimmarrja politike pritet të vijë në ditët në vijim nga takimet mes Presidentit amerikan dhe atij ukrainas.
Aktualisht po shohim planin amerikan dhe reagimin europian, por ajo që mungon është më kryesorja: pozicioni i Rusisë.
Rusia ka hedhur poshtë propozime të mëparshme evropiane, duke kërkuar ndryshime të thella në planin e paqes.
Nuk e dimë nëse do të kthehemi te plani me 28 pika apo do të formulohet një plan krejt i ri. Deri tani nuk ka qartësi.Thelbësore është të shihet dinamika e bisedimeve mes SHBA-së dhe Rusisë, dy aktorët përcaktues në formësimin e marrëveshjes finale. Pritet të shihet roli kyç i SHBA-së për të gjetur mënyrën e operimit dhe marrëveshjes mes Ukrainës dhe Rusisë.
Ndërsa për Evropën, ajo ka rol të rëndësishëm në proces, por nuk ka arritur të paraqesë një qëndrim të përbashkët, përfshirë edhe çështjen e aseteve të ngrira ruse, për të cilat ende nuk është marrë një vendim i unifikuar.
Në një vendimmarrje të drejtë dhe të qëndrueshme nga të dyja palët, duke theksuar se pa një pozicion të qartë rus, asnjë plan paqeje nuk mund të konsiderohet final.



