Banorët e fshatit Drojë, njësia administrative Mamurras, në bashkinë Kurbin janë pa rrugë dhe makinat ecin mbi tubacionin e ujit.
Kryeplaku i fshatit thotë për emisionin “Fol” në MCN TV, se kjo rrugë u shërben dy lagjeve të fshatit Drojë dhe është rrugë kalimi për fëmijët që shkojnë në shkollë në fshatin tjetër, Bushnesh.
Fshati ynë përbëhet nga 1200 banorë. E kam ngritur shqetësimin në bashki, por na thonë që nuk ka fonde për ne.
Kjo nuk është rrugë, por tubacion uji, ne ecim mbi një tubacion uji. Kjo kaskadë shërbente për bujqësinë. Kjo rrugë shërben për bujqësinë.
Nga viti 1991 nuk është vënë dorë. Lagja ka tokat në anën tjetër.
Përmbytemi vazhdimisht, ka nevojë për një punëtor 12 muaj viti.
Një banore e zonës tha se gropat e rrugës i mbyllin me lekët e tyre, duke blerë zhavorr.
Ecim mbi beton nga halli, ka rënë makina në gropë këtu poshtë, mbi tubacionin e ujit, por fatmirësisht shpëtuan tre personat që ndodheshin brenda.
Një tjetër banor shprehet se i tha kryeministrit Edi Rama në Laç se janë fshat i harruar dhe se duan 5 kilometër rrugë,
Na tha do e bëj, por asgjë. Jemi i vetmi fshat që ka 1000 votues. Këtu vijnë vetëm për vota. Ujësjellës nuk bëhet fjalë të ketë, ujin e marrim me puse.
Na mbajnë fëmijët në emigracion. Edi Rama me shpenzimet e ditës mund të na bëjë rrugën. Fshati ynë është 500 metra larg autostradës.
Telat dhe shtyllat e korrentit janë të Partisë së Punës. Tokat i kemi pa certifikatë, nuk kemi të drejtë as që të marrim karburantin me ulje çmimi.
Tokën unë e kam në realitet, në dokumente figuron në një bllok tjetër matanë. Të duash ta shesësh nuk e shet dot.
Pas kërkesave na shtruan rrugën hyrëse, por rruga brenda fshatit, nuk ka mirëmbajtje, nuk ka investime.
Edi Rama të vërë dorën në zemër për rrugën.



