
Ansambli Libohova është një grup i ri, i cili me pasion dhe përkushtim po edukon brezin e ri për vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Të ftuara në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”, anëtaret e këtij ansambli kanë rrëfyer se, përmes këngëve dhe valleve, 75 fëmijë po mësojnë jo vetëm ritmin, por edhe krenarinë për prejardhjen dhe shpirtin shqiptar.
Ne jemi vajza nga 14-17 vjeç, dhe aktualisht grupi ka 75 fëmijë.
Grupi u krijua brenda shkollës, duke qenë se donim të kishim një grup vallesh. Drejtoresha e shkollës na futi te polifonia dhe më pas, zonja Anjola Diamanti na mundësoi veshjet dhe ndihmoi në rritjen e grupit.
Gradualisht, grupi u shtua dhe u bë një ansambël i madh.
Fillimisht, kam filluar me kërcime, dhe nga klasa e shtatë dhe tetë kemi formuar grupe brenda klasës.
Më pas, janë bashkuar edhe vajza të tjera dhe kështu ka nisur rritja e ansamblit.
Ne kemi familjarë që këndojnë, dhe kjo na ka shtyrë gjithashtu të angazhohemi me polifoni.
Ishim vajza të të njëjtës shkollë dhe u bashkuam në grup. Kishim marrë pjesë në një aktivitet në Gjirokastër dhe atje këndova, e më pas u futa në grup.
Jam pjesë e ansamblit për shkak të dëshirës dhe ndikimit të familjes.
Mamaja ime është zysha e grupit dhe është një mbështetje e madhe për ne.
Ansambli këndon kryesisht këngë nga zona e Libohovës, por ata gjithashtu kanë sjellë këngë të tjera nga zona të ndryshme të Shqipërisë.
Një prej këngëve që ne performuam ishte për 28 Nëntorin, ku morëm pjesë në Presidencë dhe krijuam një këngë të re.
Për momentin jemi shumë të angazhuara me aktivitete dhe evente gjatë muajit dhjetor, dhe, mësuesit na tolerojnë për shkak të angazhimeve tona.
Zakonisht, ne praktikojmë disa orë në javë, por kur kemi aktivitete, mblidhemi më shpesh dhe kjo na merr më shumë kohë.



