
Prokuroria e Durrësit vendos sekuestrimin e 102 kontejnerëve me mbetje industriale, të cilat konsiderohen të rrezikshme.
Vendimi i prokurorisë mban datën 26 tetor dhe ka të bëjë me anijen me mbetje toksike e cila u nis në muajin korrik nga Shqipëria drejt Tajlandës, por ky shtet e refuzoi pas alarmit të dhënë nga organizatat joqeveritare amerikane, duke u kthyer mbrapsht dhe ditën e sotme mbërriti në portin e Durrësit.
Të gjithë subjektet e ngarkuara me zbatimin e këtij vendimi të nënshkruajnë në proceverbalin e sekuestrimit në të cilin të përshkruhen në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet që do të kryhen në ekzekutim të vendimit dhe përshkrim i saktë i sendeve.
Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë.
Sendet e sekuestruara të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre.
Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit rë përgjithshëm Durrës.
Në urdhrin e ekzekutimit, dy prokuroret Suela Beluli dhe Mediana Meta kanë listuar me numrat përkatës 102 kontejnerët që dyshohet se mbajnë mbetje të rrezikshme.
Ndërkohë pak kohë më parë dogana deklaroi se rasti nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane.



