
Ish-kryeministri Sali Berisha kundërshtoi sot hartën e re të gjyqësorit. Në një dalje për mediat, ai tha se kjo hartë bie ndesh me një nga pikat e rezolutës së miratuar për Shqipërinë nga PD-ja pak javë më parë. Berisha tha se përveç kësaj, rishpërndarja e shërbimeve gjyqësore do të rëndojë direkt mbi qytetarët, sidomos grupet vulnerabël, të cilët sipas tij do ta kenë të pamundur aksesin në drejtësi. Berisha tha se në kushtet e një stoku prej 110 mijë dosjesh që presin shqyrtim nga drejtësia, PD dënon anulimin e këtij projekti, i cili sipas tij do të ndëshkojë njëkohësisht qytetarët dhe avokatët dhe do ta përqendrojë vendimmarrjen e drejtësisë në duart e 2-3 personave.
U mohohet aksesi i lirshëm 9 qyteteve në sistemin e drejtësisë. Mbyllen 4 gjykata administrative, ngelet një në tiranë dhe një në Lushnjë. Mbyllen të gjitha gjykatat e Apelit dhe mbetet vetëm ajo e Tiranës, praktikë e dështuar në 1999. Banorët e 10 qyteteve të vendit duhet të udhëtojnë edhe dhjetëra km rrugë për të shkuar në gjykatë. Duke rritur shpenzimet e udhëtimit, hoteleve për këta qytetarë dhe duke shpenzuar kohën e tyre, por deri diku duke u mohuar de fakto edhe aksesin në sistemin e drejtësisë. Miratimi i hartës së re gjyqësore është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Mbyllja e shumë gjykatave cenon rëndë aksesin e individit në drejtësi.



