Profesori Fatos Tarifa tregoi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV si lindi ideja për krijimin e Akademisë Alternative, dhe se si Ismail Kadare pranoi të jetë President nderi.
Tarifa tregon se Akademia Alternative nuk merr asnjë qindarkë nga shteti, dhe e veçanta e saj është se është e të gjithë shqiptarëve, përfshi atyre në diasporë.
Disa e pëlqejnë disa jo, por është një alternativë. Kishim vënë re në jetën akademike të vendit shumë gjëra që s’shkonin, struktura e akademisë. Kishte një boshllëk, ndjemë që mund të shtohej diçka. Një mëngjes teksa pinim kafe katër kolegë, vijmë me idenë pse mos krijojmë një institut të ri, akademi të re, në formë të një bashkëpunimi vullnetar, për të sjellë kontribute të atyre njerëzve që mund të japin kontribut, jo vetëm në shkencë, por edhe art. Siç ishim të katërt, themi që na duhet një personalitet i njohur që ta legjitimojë dhe t’i japë emër. I bëjmë një vizitë në shtëpi Ismail Kadaresë. Kërkojmë që të jetë President nderi, pranoi. Pyeti për misionin, mbeti i kënaqur nga shpjegimet dhe nga ajo ditë bashkë me Helenën u bënë anëtar të akademisë. U bë një grup prej 27 vetash. Ne s’kemi asnjë lidhje me shtetin, nuk marrim asnjë qindarkë. Kontributi është modest, kryesisht nga anëtarët e Akademisë. Buxheti i kufizuar shërben për disa aktivitete në vit që bëjmë. E veçanta është që është akademi e të gjithë shqiptarëve edhe në diasporë. Aktualisht janë 40 anëtarë të rregullt dhe 8 të huaj”.
Tarifa tha se në Akademinë Zyrtare të Shkencave ka njerëz që nuk janë as për arsim të lartë, ku zgjedhjet kanë qenë nepotike apo politike.
Nuk besoj se do shkoja te akademia zyrtare, disa herë më është ofruar të kandidoj, por unë e di se në një mjedis si ai i Akademisë së Shkencave, s’do të doja të luaja me instrumentin e votës, sepse një njeri që nuk të pëlqen mund të të hedhë poshtë, disa herë me radhë ka ndodhur, ndërkohë që edhe shumë kolegë të mi të zotë, kanë pasur probleme, s’janë pranuar njëherë, dy herë. Pranimet në akademinë tonë nuk bëhen me kërkesë nga jashtë, me aplikime. Kjo është normalja. Kur e krijuam në 2011-ën, modeli që ndoqëm ishte Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave. Nuk ka një President që të qëndrojë për një kohë të gjatë, është një parim rotacioni.
Para 90-ës Akademia ishte krijesë e Partisë së Punës, por në të bënin pjesë njerëzit më të mençur të vendit, dhe roli i asaj akademie në shumë pikëpamje ka qenë i jashtëzakonshëm dhe njerëzit që e themeluan dhe ata që bënin pjesë ishin vlera të mëdha për kulturën dhe shkencën tonë, s’mund të them të njëjtën gjë më pas. Në këtë Akademi përveç emrave të njohur ka edhe individë që nuk janë jo për akademi, por as arsim të lartë do të thoja. Kanë qenë zgjedhje ose nepotike ose politike”.



