
Siria ka ekzekutuar 24 persona të cilët u dënuan për akuza terrorizmi për ndezjen e zjarreve shkatërruese të vitit të kaluar që lanë 3 persona të vdekur dhe shkrumbuan mijëra hektarë pyje, tha të enjten Ministria siriane e Drejtësisë.
Autorët kanë rrëfyer se i kishin vënë flakën disa vendeve në tre provincat dhe u arrestuan fillimisht vitin e kaluar, thuhet më tej në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë. Ata u ekzekutuan të mërkurën.
Njëmbëdhjetë persona të tjerë të përfshirë në ndezjen e zjarreve u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa katër të tjerë u dënuan me punë të rëndë të përkohshme, thuhet në deklaratë. Pesë të mitur u dënuan gjithashtu me burgim nga 10 deri në 12 vjet për përfshirje.
Zjarret prekën 280 qytete, dëmtuan më shumë se 370 shtëpi dhe shkatërruan 11,000 hektarë tokë pyjore, me dëme të konsiderueshme shkaktuar edhe në bagëti, pajisje bujqësore dhe infrastrukturë, sipas Ministrisë së Drejtësisë. Zjarret u përhapën në provincat e Latakisë, Tartous dhe Homs.
Në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se autorët kanë pranuar se kishin planifikuar të vinin zjarret në fund të gushtit 2020 dhe se krimet i kanë kryer “me ndërprerje” nga shtatori deri në tetor 2020.
Dënimi me vdekje në Siri është i lejueshëm në rastin e krimeve duke përfshirë tradhtinë, spiunazhin, vrasjen dhe zjarrvënien.
Në vitin 2017, Amnesty International hodhi një dritë mbi një fushatë të varjeve masive në burgun Saydnaya, që ndodhet në veri të kryeqytetit Damask.
Raporti i Amnesty, "Human Slaughterhouse" zbuloi se 13,000 njerëz ishin ekzekutuar në burg , në një fushatë "të fshehur" të autorizuar nga figura të larta të regjimit. Raporti pretendon se të burgosurit u zhvendosën në mes të natës nga qelitë e tyre me pretekstin e transferimit, por në vend të kësaj u dërguan në mjediset e burgut, ku u varën. Ministria e Drejtësisë hodhi poshtë akuzat.



