Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, njëherësh drejtuesi i grupit të punës për reformën territoriale, sqaron propozimin e opozitës, duke thënë se pas konsultave dhe komenteve të fundit, do të dorëzohet si propozim zyrtar në Kuvend me 95 bashki.
Duke folur për MCN TV, Bylykbashi deklaroi se pavarësisht qëndrimit të mazhorancës, opozita do të përballet për këtë çështje në parlament, në interesin më të mirë të shqiptarëve, për të pasur një reformë reale.
Sipas tij reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar haptazi, pasi u bë me qëllim elektoral dhe dështimi ishte në aspektin e funksionimit, pasi tha se bashkitë nuk kanë kursyer para, kanë shtuar punonjësit dhe nuk janë funksionale.
Dështim i madh me kosto të madhe, jo vetëm për qytetarin por edhe për funksionimin e shtetit. Komisioni Reformës i ngritur në mënyrë të qëllimshme nga mazhoranca për të bërë përzgjedhjen e opozitës, nuk na pengon.
PD ka organet e saj të zgjedhura, ka marrë vendimet e saj dhe ka arritur në konkluzionin se duhen 95 bashki dhe duhet të ecet përpara drejt rajoneve. Europa është e rajoneve.
Rajonet janë instrumente bashkëpunimi me BE, fondet e rajoneve vijnë nga BE. Për momentin propozimi ynë është që këto 95 bashki t’u ofrohen qytetarëve se janë ekuilibri më i mirë, gjykojmë se kjo është më e mira.
Propozime që vijnë nga kolegë të tjerë demokratë përputhet me këtë, por qëllimi zyrtar është që të çohet propozimi prej 95 bashkish si nismë legjislative.
Ne do të ecim përpara edhe sikur Partia Socialiste me votat e saj ta bllokojë këtë interes të qytetarëve, PD do vazhdojë, janë reforma të mëdha që kërkojnë kohë.
I pyetur se si do të hyhet në zgjedhjet lokale, si në 6 mars apo me kandidatë të përbashkët, Bylykbashi sqaroi se në ndryshim nga 6 marsi, kur PD kishte marrë vendime të mëdha, në Kuvendin e 11 dhjetorit, në atë kohë nuk kishte vendim gjykate që njihte 11 dhjetorin dhe vendimet, ndër to dhe shkarkimin e Lulzim Bashës.
Sot kemi një vendim gjykate. Gjykata ka njohur Kuvendin e 11 dhjetorit, që është organi më i lartë i PD, shkarkimin e Bashës dhe krijimin e organeve që e kanë pasuar.
Ajo që është e paligjshme, ne kemi një vendim i cili thotë kjo është PD, kjo është vula, kjo është logo, këto janë organet drejtuese.
Zgjedhjet nuk mund të mbahen peng nga Kryeministri dhe të vendosë ai kush janë kandidatët. Duhet të bëjmë më të mirën jo vetëm për anëtarësinë e PD që ka vendosur me shumicë kush është linja dhe drejtimi i partisë, gjithashtu dhe për elektoratin e PD.
Ky është një projekt që po na bashkohen dhe demokrat të tjerë, që pushteti është te elektorati dhe jo te kryetari. Një vit më parë PD ishte në një gjendje jo lëngate, por pothuajse në vdekje klinike.
Ky shtator e gjen të energjizuar, në gjendje aktive. Me ndryshimet e mëdha statutore të 11 dhjetorit, janë marrë një seri qëndrimesh në thelb. Ne sot nuk e vendosim pushtetit tek organet monokratike, por kolegjiale.
Sigurisht roli kryetarit është thelbësor, por vendimet merre në mënyrë kolegjiale. Kryetarokracia është zëvendësuar dhe i hapet mundësia të gjithë rrymave të mendimit dhe qëndrimit brenda PD, të gjithë kanë të drejtën të kandidojnë në primare pavarësisht se nga cila rrymë dhe drejtim vijnë.
Sa i takon përzgjedhjes së kandidatëve, Bylykbashi tha se do të pritet për primaret ato që do të vendosin, ndërsa shtoi se kushdo ka të drejtën të ketë ambicie.
Ne do të prezantojmë shumë shpejt rregullat për primarët. Se si do të selektohen kandidaturat, më pas do jetë vota që do të përcaktojë se ush është kandidati që do i drejtohet elektoratit.



