
Projekt-buxheti i vitit 2019 i prezantuar nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, pavarësisht se u njoftua se do të jetë më i madhi i këtyre viteve, ndjek të njejtën linjë me buxhetet e kaluara dhe të ardhurat shtesë supozohet të jenë 21 miliardë lekë. Totali i të ardhurave që pritet t'i shtohen arkës së shtetit pritet të arrijë në shifrën e 486.4 miliardë lekë, me një rritje 4.7 % në krahasim me vitin aktual. Përpos deklaratave se do të kemi një rritje të lartë ekonomike në vitin që vjen, qeveria nuk ka shfaqur të njëjtin optimizëm në treguesit e projektbuxhetit, pasi përsëri kontributi më i madh do të jetë nga qytetarët.
Tatimi mbi vlerën e shtuar pritet t'i sjellë buxhetit rreth 153 miliardë lekë. Po ashtu, financat llogarisin 48.3 miliardë lekë nga akciza dhe 33.5 miliardë lekë nga tatim fitimi. Po ashtu niveli i të ardhurave nga këto shifra do të jetë më i ulët se ai i 2018-s, pasi këtë vit vlera e shtuar pritet të arrijë në 27 miliardë. Ndërkohë që rritja ekonomike edhe pse më së shumti u përfol të ishte 4.5%, viti i ardhshëm pritet të mbyllet me rritje 4.3%, kërcënimi më i madh që i kanoset përmirësimit të mëtejshëm të financave është borxhi publik, i cili është edhe një nga kriteret kryesore që duhet të përmbushë vendi drejt anëtarësimit në BE. Jo vetëm në këtë drejtim por edhe FMN-ja dhe BB kanë kërkuar nga qeveria të ulë në shifra reale nivelin e borxhit.
Nga shifrat e publikuara nga Ministria e Financave për tetë vitet e kaluara, konkretisht nga viti 2009 deri në 2016, borxhi ka ardhur gjithmonë në rritje. Nga 59.67% në vitin 2019 ka arritur në shifrën 72.21% në vitin 2015, këtë vit sipas auditit të KLSH-së ky sektor mbetet në të njëjtin nivel 72, ndërsa kreu i Financave, Arben Ahmetaj, ka deklaruar shifrën 68.9%. Por si i komentojnë ekspertët këta shifra? Për ekspertin Adrian Civici, përsa kohë kemi një ekonomi ende delikate, po përballemi me një borxh tejet të lartë.
I këtij mendimi është shprehur edhe eksperti Zef Preçi, teksa e ka cilësuar këtë nivel si një kërcënim të madh për ekonominë e vendit.
Në fund të muajt shtator, qeveria shqiptare ndërmori një hap tepër të rëndësishëm, siç ishte emetimi i eurobondit prej 500 milionë eurove, që sipas Ahmetaj nuk do të kishte aspak ndikim në krijimin e një borxhi të ri. Pedagogu Elvin Meka, e cilëson eurobondin pjesërisht si borxh i shtuar, pavarësisht se është marrë me normë të ulët interesi.
Për këtë fakt, profesorët e fushës së ekonomisë ndajnë pothuajse të njëjtin mendim.
Përveç raporteve të bëra publike si nga institucionet në Shqipëri, edhe ato ndërkombëtare, për situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi përballë këtij niveli, Ahmetaj dhe kryeministri Edi Rama, nuk ngurrojnë të premtojnë ulje të borxhit deri në 40-45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për uljen e stokut të borxhit, ekspertët ndajnë mendime kontradiktore, sipas Preçit janë tre rrugë, për Mekën janë dy mundësi, ndërsa Civici e shikon si shumë ambicioz premtimin.
Një impakt tepër të madh në rritjen e borxhit kanë edhe koncesionet, pasi sipas ekspertëve përsa kohë nuk tregohet kujdes ndaj tyre, ato krijojnë hapësira për një borxh të ri. Aktualisht janë dy tipe koncesionesh, ajo tradicionale ku qeveria hap garën dhe më pas zgjidhet fituesi, ndërsa tipi i dytë janë ofertat e pakërkuara, që vetofrohen nga kompani të ndryshme për shërbime të caktuara.
Zef Preçi i shikon këto propozime si një borxh i maskuar për interesa klienteliste.
Sakaq Civici thotë se çdo lloj investimi në kuadrin e partneritetit publik-privat ka elementin e borxhit dhe duhet kujdes i veçantë me këtë praktikë dhe më tepër transparencë.
Veç ekspertëve dhe politikës në Shqipëri, kjo mënyrë investimi është kritikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, të cilat kanë këshilluar vendin të ndalojë këto kontrata. Ndërkohë që oferta e pakërkuar vijon të përdoret, rasti i fundit është ai i autostradës Tiranë-Durrës. Ekonomistët kërkojnë nga shteti të hiqet dorë nga varfërimi më tepër i qytetarëve pasi në Shqipëri barra tatimore është tepër e lartë. Pavarësisht se ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka paralajmëruar tarifë për të gjitha akset kryesore, Meka e Civici shprehen se nuk mund të ngrihet buxheti mbi taksa për qytetarët.
Madje, dyshimet për pastërtinë e marrëveshjeve me kompanitë koncensionare shkojnë më tej, pasi Preçi kërkon hetim nga organet gjyqësore, ndërsa Civici hedh idenë e një sistemi monitorimi
Teksa flitet për këtë situatë, ka edhe raste ku dështimi dhe dëmi i shkaktuar në buxhet është i konsiderueshëm. Preçi sjell në vëmendje koncesionin e CHEK UP që xhiron 4-5 milionë euro, pavarësisht se nuk kryen ndonjë shërbim specifik.
Në listën e problemeve për të cilat stepen investitorët e huaj për të ushtruar aktivitetin e tyre, profesorët parashtrojnë një sërë arsyesh.
Sipas Komisionit Europian, aktualisht Shqipëria ka borxhin më të lartë në rajon, edhe për tremujorin e parë të 2018, konkretisht Shqipëria me 69%, Mali i Zi me 59%, Serbia me 59% Bosnja me 35.8%, Maqedoni me 39.7% dhe në fund renditet Kosova 16.6%. Ndërsa në vitin 2017, vlera totale e koncesioneve me PPP arrin në 259 miliardë lekë, ose 17% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka pritet ta rrisë më tej borxhin real publik



