
Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e shkallës paraardhëse të gjyqësorit për Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin, për vrasjen e Emiljano Ramazanit më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan dhe të vrasjes së Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan.
Prokurori kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë dhe ka kërkuar në Apel uljen e dënimit për të penduarin e drejtësisë E. Halili nga 17 vite burgim në 10-12 vite burgim.
Apeli i GJKKO pranoi ankimin e prokurorit për dënimet për secilën vrasje, por në fund i zbriti vetëm një vit burgim duke e dënuar me 16 vite burgim.
Në tetor të vitit të kaluar, GJKKO dënoi me burg përjetë Xhuliano Hoxhën dhe me 17 vite burg Euglen Halilin.
Hoxha do ta vuajë dënimin në një nga institucionet penitenciare të sigurisë së lartë. Ndërsa Euglen Halili do ta vuajë dënimin në një nga Institucionet EVP, sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.



