
Në Amfiteatrin e Liqenit, produksioni më i ri i Teatrit Kombëtar “Ferma e Kafshëve”, kryevepra e George Orwell me regji të Driada Dervishit do të vihet në skenë më datat 10, 12,13 korrik.
Aktori Neritan Liçaj i ftuar në emisionin “Arnautistan” në MCN TV e cilësoi veprën si një alegori e madhe që vetë autori bën për idetë komuniste. I pyetur mbi emocionet e skenës pas një mungese të gjatë për shkak të pandemisë, Liçaj tha se çdo dalje është një provim i ri.
“Vepra është një alegori e madhe që vetë autori bën për idetë komuniste të atëhershme, i referohet Bashkimit Sovjetik. Përdoren shumë metafora. Ne kemi elemente të vogla te kafshëve, por shfaqja ka shumë lëvizje dhe gjithçka ndodh në skenë dhe i jep dinamikë shfaqjes. Shpresojmë që për spektatorin të jetë surprizë. Unë nuk po përpiqem të imitoj diktaturë, por të amalgamoj një diktator dhe shpresoj të arri të bëj një figurë interesante. Ky është një nga librat më të lexuar në botë. Me aktrimin je gjithmonë në një provim të ri, nuk bie në monotoni, por pa spectator nuk bëhet teatër. “Ferma e kafshëve” do të vihet në skenë në datat, 10, 12,13 korrik dhe do të rikthehet sërish në shtator”, tha Liçaj.



