Franca ka thënë se do të ishte "e papranueshme" që gjigandi francez i produkteve mjekësore “Sanofi”, t’i japë përparësi tregut amerikan nëse zhvillon një vaksinë Covid-19.
Qeveria franceze reagoi ndaj deklaratave të CEO-s së Sanofit, Paul Hudson, i cili tha se "qeveria amerikane ka të drejtën e porosisë më të madhe para se të investohet në marrjen e rrezikut".
Kryeministri Edouard Philippe tha se qasja për të gjithë ishte "e panegociueshme".
Shumë laboratorë në të gjithë botën janë të përfshirë në kërkime për të gjetur një vaksinë Covid-19, sa më shpejt që të jetë e mundur. Vaksinat zakonisht kërkojnë vite për t’u zhvilluar.
"Për ne, është e e papranueshme që të ketë mundësi për privilegje të tilla, sidomos për arsye financiare", është shprehur zëvendësministri i Financave Agnès Pannier-Runacher, thotë “BBC”.
Presidenti Emmanuel Macron tha se përpjekjet e fundit dëshmuan se një vaksinë nuk duhet t'i nënshtrohet forcave të tregut dhe se do të takojë zyrtarët e lartë të “Sanofi” javën e ardhshme.
Në fillim të këtij muaji BE-ja kryesoi një samit global për të nxitur hulumtimin e koronavirusit, dhe siguroi premtime prej 8 miliardë dollarësh nga rreth 40 vende dhe donatorë. Financimi ka për qëllim zhvillimin e një vaksine koronavirus dhe të trajtimeve për Covid-19.
Mbretëria e Bashkuar priti samitin, por SHBA dhe Rusia nuk morën pjesë.
BE këmbënguli se të gjitha vendet duhet të kenë qasje të barabartë ndaj një vaksine.
"Vaksina kundër Covid-19 duhet të jetë një e mirë publike globale dhe qasja ndaj saj duhet të jetë e barabartë dhe universale", tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Stefan de Keersmaecker.
“Sanofi” është një kompani farmaceutike shumëkombëshe me seli në Paris, Francë, që nga viti 2013 dhe renditet e pesta në botë për shitjet.
Hulumtimi i “Sanofi” për vaksinat e Covid-19 është financuar pjesërisht nga Autoriteti i Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar Biomjekësor i SHBA-së (Barda).
Por vitet e fundit Sanofi ka marrë dhjetëra miliona kredi tatimore nga qeveria franceze për të ndihmuar në studimin e saj.



