
Militantët në verilindje të Malit i kanë vrarë 53 ushtarë dhe një civilë në një sulm ndaj një qendre ushtarake. Lajmin e dha qeveria e këtij shteti.
Ky është njëri ndër sulmet më të përgjakshme në dekadën e fundit kundër forcave të armatosura në këtë shtet afrikan.
Mali po përballet me dhunë që nga viti 2012, kur militantët islamistë e morën kontrollin në pjesën veriore të vendit. Me ndihmën e Francës, ushtria e Malit e mori përsëri kontrollin në këtë rajon, por niveli i sigurisë është ende i ulët.
Forcat shtesë që u dërguan në vendin e sulmit i gjetën 10 persona të mbijetuar dhe dëme të konsiderueshme material, tha zëdhënësi i qeverisë, Yaya Sangare.
Asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për këtë sulm.
Mali bashkë me Burkina Fason, Çadin, Nigerin dhe Mauritaninë, të përkrahur nga Franca, e kanë formuar një forcë të përbashkët për luftimin e militantëve.
Një sulm i ngjashëm kishte ndodhur në fund të muajit shtator, kur 38 ushtarë të Malit ishin vrarë afër kufirit me Burkina Fason, shkruan “BBC”.



