
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi sot se "Koreja e Veriut nuk përbën më një kërcënim bërthamor", ndërsa u kthye në Uashington pas takimit të nivelit të lartë në Singapor me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
"Të gjithë tani mund të ndihen shumë më të sigurt se ditën kur unë mora detyrën", shkruante në një postim në twitter Trump. "Takimi me Kim Jong Un-in ishte një përvojë interesante dhe shumë pozitive. Koreja e Veriut ka një potencial të madh për të ardhmen!", shkruante ai.
Të dy udhëheqësit u takuan të martën, duke nënshkruar një deklaratë të shkurtër mbi denuklearizimin dhe reduktimin e tensioneve.
Dokumenti i nënshkruar nga dy udhëheqësit nuk përfshin detaje se si dhe kur Koreja e Veriut do të nisë procesin e çarmatosjes bërthamore, as nuk qartëson se çfarë "garancish sigurie" do t’i japin Shtetet e Bashkuara, Koresë së Veriut.
Sipas marrëveshjes, Veriu mban bërthamën e armëve nukleare, raketat për të nisur ato dhe nuk ka rënë dakord për ndonjë proces specifik për t'i shkatërruar ato.
Kritikët vunë në dukje mungesën e detajeve në marrëveshje duke vënë në pikëpyetje nëse Trump ofroi shumë duke marrë shumë pak si shkëmbim gjatë bisedimeve me udhëheqësin e Penianit.
Presidenti Trump e ka mbrojtur marrëveshjen si një hap të madh në trajtimin e kërcënimit që vjen nga një Kore e armatosur me armë bërthamore. Ai tha se besonte se qeveria e Kim Jong Un-it do të niste menjëherë procesin e realizimit së marrëveshjes.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, mbërriti të mërkurën në Korenë e Jugut për të diskutuar detajet se si mund të arrihej denuklearizimi.
Në komentet e raportuara nga Reuters, ai tha se ende ishte "një punë e madhe për të bërë ... një rrugë e gjatë për të shkuar me Korenë e Veriut".
Ai tha se SHBA do të donin çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut deri në fund të vitit 2020-s dhe se do të kishte "verifikim të thellë" të procesit.
Dhe si gjithmonë shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk harroi pa sulmuar edhe mediat si CNN dhe NBC pasi kritikuan samitin duke i quajtur Fake News.



