
Kremlini ka konfirmuar se presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti iranian, Hassan Rohani dhe homologu i tyre turk, Recep Tayyip Erdogan, do të takohen për bisedime në muajin prill.
Kremlini nuk ka speficikuar datën e saktë të takimit apo vendit se ku do të takohen liderët.
Axhenda e takimit pritet të jetë bashkëpunimi i Rusisë, Turqisë dhe Iranit në Siri dhe lufta atje.
Ministria e Jashtme turke po ashtu ka thënë më 6 mars se tre liderët do të takohen në prill, mirëpo zëdhënësi i ministrisë, Hami Aksoy, nuk ka treguar se kur do të mbahet samiti.
Zyrtarët turkë dhe ata amerikanë pritet të takohen në Uashington më 8 dhe 9 mars.
Aksoy ka thënë se Turqia do t’iu tregojë zyrtarëve amerikanë se Ankaraja pret që Uashingtoni të marrë hapa konkret për rikthimin e armëve që Shtetet e Bashkuara u kanë ofruar Njësiteve për Mbrojten e Popullit (YPG) në Siri.
Aksoy po ashtu ka thënë se ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu do ta vizitojë Moskën më 12-14 mars dhe më pas do të vizitojë Uashingtonin më 19 mars.
Ai ka thënë se Cavusoglu planifikon të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson gjatë vizitës së tij në SHBA.



