Aktivisti Andi Tepelena, thotë se SPAK duhet të marrë në dorë çështjen e 2100 tonëve me mbetje të rrezikshme të “Kurum, të cilat vijojnë të qëndrojnë në sekuestruara në Porto Romano dhe që nuk i janë nënshtruar ende analizave që kërkohen për specifikimin e tyre në kuadër të hetimeve të nisura nga prokuroria e Durrësit.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai e cilësoi situatën skandaloze dhe si të qëllimshme mbajtjen e kësaj çështje në heshtje.
Tepelena flet edhe për presion politik ndaj Prokurorisë Durrës, ndërkohë që në lojë është shëndeti i qytetarëve dhe pas kësaj çështje fshihet një korrupsion madhor dhe jo vetëm problem mjedisor.
Situatë skandaloze, ka rënë në një heshtje të plotë dhe publiku nuk e di se çfarë po ndodh me këto mbetje.
Ka pasur një ping pong mes Prokurorisë dhe institucioneve të tjera, thuhet se Prokuroria nuk ka gjetur akoma ekspertë apo laboratorë të specializuar për bërjen e analizave. Kjo është qesharake se investigimet zbuluan se dhe Shqipëria ka laboratorë për këtë analiza.
Kostoja e analizave ishte qesharake, vetëm 306 euro. Fare mirë Prokuroria mund të gjente një laborator edhe jashtë Shqipërisë. Janë kosto shumë të përballueshme dhe nga xhepi i qytetarëve.
Nuk qëndron se nuk ka laboratorë. Laboratorë ka në Shqipëri dhe kudo. Prokuroria është duke fshehur diçka, dhe ka detyrimin ligjor që të shprehet. Është në lojë shëndeti publik. Reputacioni i qeverisë shqiptare.
Rama thtoë se kemi hapur kapitullin e mjedisit, por ne kemi mbetje të rrezikshme dhe nuk dihet fati i tyre. Në lojë është shëndeti i njerëzve. Prokuroria duhet të thërrasë gjithë aktorët nga “Kurumi”, doganat, institucionet e tjera.
Ka një shqetësim dhe nga Bazeli i cili ende nuk po shprehet. Duket që ka një presion politik të tmerrshëm ndaj prokurorisë. Bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme apo toksike, këtë do na e thotë prokuroria.
Publiku duhet të dijë ku do groposen, në miniera, në gropa septike, në liqene, pranë malit apo ku. Publiku ka nevojë për transparencë ku do groposen këto mbetje.
Kjo është një çështje disi e fjetur, që duan ta kalojnë në heshtje, por kemi të bëjmë jo vetëm me një problem mjedisor, por me një problem korrupsioni. Dy laboratorë në Shqipëri janë gjetur të certifikuar, jo më jashtë. Është një zvarritje dhe fshehje të qëllimshme.
Prokuroria nuk do të nxjerrë se kush është vërtetë strumbullari i kësaj gjëje. Nëse Prokuroria nuk nxjerr në dritë, le ta marrë SPAK-u në dorë, se këtu kemi të bëjmë me korrupsion të pastër.
Janë thjesht dyshime, të cilat po rëndojnë pozitën e Prokurorisë mbi të gjitha dhe këtu duhet të thirreshin të gjithë agjencitë ligjzbatuese.
Në fushën e mjedisit kanë ndodhur gjëra shumë të rënda dhe unë nuk kam parë ende nga SPAK të marrë në dorë këto çështje. Kemi rastin e perimeve që u kthyen mbrapsht me pesticide. Dhe ushqimet e helmuara vijnë si pasojë e ndotjeve me metale të rënda dhe kryesisht nga industria që nuk zbaton rregullat e Bashkimit Europian.
SPAK ka çështje më të rëndësishme, se pret zgjedhjen e kryetarit të ri dhe ato që kanë të bëjnë me shëndetin tonë për SPAK nuk ka rëndësi. Edhe pse në Onkologjik janë shtuar rastet që kanë të bëjnë me kancerin në gjak.
Mjafton të shkoni në aeroportin e Rinasit dhe gjithë rrugës vjen era kalbësirë. Thonë që groposin kafshë e lloj lloj gjërash, në territorin tonë groposen gjëra shumë të rrezikshme për shëndetin e njerëzve. SPAK duhet ta merrte vetë në dorë këtë situatë.
Janë metale të rënda të cilat do të punojnë në shtratet ujore, do filtrojnë dhe do përfundojnë në ujërat tona.
Nëse vërtetë kemi hapur kapitullin 27 për mjedisin, është prioritet absolut që industria aty ku ndodh të merren masa që të mos ndotë dhe këtu duhen marrë masa administrative të rrepta.



