Sot mbarë populli shqiptar përkujton Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeun, në 555 vjetorin e vdekjes së tij.
Ai ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar të vitit 1468, në moshën 63-vjeçare.
Ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i luftimeve mbrojtëse. Me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, asokohe më të organizuarat.
Gjergj Kastriot Skënderbeu, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Arbërisë së Veriut dhe i princeshës Vojsava.
Ishte fëmija i fundit mes katër djemve dhe pesë vajzave.
Në moshë të vogël, ai u mor peng nga Sulltan Murati i II-të si ndëshkim për luftën që i shpalli babai tyre, Gjon Kastrioti.
Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi edhe zgjerimin osman drejt Evropës.
Për 25 vjet me radhë, e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.
Për këtë fitoi edhe mirënjohjen e Papatit të Romës, që kur qe gjallë dhe pas vdekjes.
Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skëndërbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar. Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve. Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar në të gjithë vendin, e cila u kthye brenda pak kohëve në një kryengritje të përgjithshme. Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa me madhe e trojeve shqiptare. Forcat shqiptare me në krye Skëndërbeun fituan një sërë betejash kundër ushtrive osmane, si në fushat e Pollogut, të Dibrës, së Ohrit e të Domosdovës, grykat e luginat e Shkumbinit, fushat e Ujit të Bardhë, të Livadit pranë Ohrit, të Vajkalit etj.
Vepra dhe figura e Skënderbeut ka përmasa dhe rëndësi evropiane. Këtë e dëshmon edhe fakti që për të është shkruar një literaturë e tërë.
Qindra vëllime, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo dhe Fatos Daci.
Figura e tij dhe lufta që udhëhoqi, u bënë një burim frymëzimi gjatë luftërave për lirinë e pavarësinë e Atdheut dhe sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare.



