Përleshje janë regjistruar në orët e para të mëngjesit jashtë Universitetit Aristoteli të Selanikut, ku persona me fytyrat e mbuluara sulmuan forcat e policisë duke hedhur një numër të madh mjetesh shpërthyese dhe zjarrvënëse artizanale, të njohura si molotov.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Selanikut, sulmi ndodhi pranë kryqëzimit të rrugëve Egnatia me 3 Shtatori, ku grupe personash dolën papritur nga ambientet e universitetit dhe iu drejtuan policisë me sulme të njëpasnjëshme.
Si pasojë e përplasjes së fortë, një punonjës policie mbeti i plagosur dhe u transportua në spitalin ushtarak, ndërsa u raportuan edhe dëme materiale në tre automjete.
Pas incidentit, policia shoqëroi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Selanikut gjithsej 313 persona, por më pas i la të lirë të gjithë, pasi sipas autoriteteve nuk rezultoi asnjë provë apo akuzë në ngarkim të tyre.



