Dy shtetas shqiptarë, pjesëtarë të shoqërisë civile që kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd, janë ndaluar dhe larguar nga territori i Serbisë.
Ndaj këtij veprimi, ka reaguar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) e Shqipërisë, e cila sot ka thirrur në ambientet e veta Ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Slobodan Vukçeviq.
Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd. Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë.
Ministria kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Një grup policësh civilë bastisën mëngjesin e djeshëm hotelin ku po qëndronin aktivistët nga disa vende Europiane, të cilët ndodheshin aty në kuadër të një “Workshopi” për ekonominë.
Mes tyre ishin dy shtetas shqiptarë. Ata u shoqëruan në polici, u morën në pyetje për orë të tëra dhe u detyruan të firmosin dokumente pa ditur përmbajtjen, që rezultuan se ishin fletë dëbimi për një vit nga Serbia me arsye për “sigurinë kombëtare”.



