Marrja në dorë e biznesit të kokainës nga grupet shqiptare edhe në vendet ku prodhohet kjo drogë, ka bërë që të rriten procedimet penale që dikur as nuk ekzistonin. 2023 renditet si viti me më shumë procedime të nisura nga SPAK kundër biznesit fitimprurës të krimit. Në studion e FactCheck, gazetari Xhevahir Zhabina dha disa detaje të përfshirjes së shqiptarëve në këto grupe.
Vendet e tjera kemi parë që shqiptarët janë të vendosur atje, kanë kontakte me kartelet. Janë biznesmenë korrektë në tregun e kokainës. Kemi parë që kanë arritur të tregtojnë 16 tonë kokainë në një dorë. Kjo tregon sa të rëndësishëm janë këto grupe kriminale shqiptare. SPAK-u është një hap me vonesë. Krimi nuk ecën me hapin e tyre.
Kokaina mendoj që është thelbi i gjësë. Mund të ketë vrasje edhe për grupe të tjera rivale. Por nëse je korrekt me pagesat dhe kartelet, nuk ke asnjë problem dhe do të jesh një partner shumë serioz. Por nëse ndodh e kundërta dhe ti bën lojërat dhe skemat, ti paguan me kokën tënde.
Sipas shqiptarëve në këto grupe, ata nuk mund të vendosin përtej asaj që vendosin ekuadorianët. Në momentin që dalin jashtë skemave, merren masa.
Nga dosjet e trafikut të kokainës, ne shohim si personazh Ergys Dashin. Ishte një personazh kyç për këto grupe. Mendoj që ne informacion kemi vetëm për këtë rast, për shkak të marrëdhënieve që ka pasur me grupe të tjera kriminale dhe që dalin në SKY Ecc.
Deri para se të zbardheshin bisedat në SKY Ecc, ne nuk dinim asgjë.
Zhabina tha se në tregun e kokainës operohet kryesisht me para në dorë, ndërsa shtoi se goditja e grupeve të narkotrafikut ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes amerikane për të siguruar informacion në funksion të hetimeve të organeve të drejtësisë shqiptare.
Nuk besoj që në Amerikën Latine kanë qenë shtatë bosa shqiptarë. Nuk po them që shtatë bosat e kokainës në vendet e Amerikës Latine ishin shqiptarë. Nuk do t’i konsideroja bosë të trafikut të kokainës. Në thelb janë shqiptarë që kanë ngritur një strukturë për të trafikuar kokainën nga Amerika Latine në Europë.
Paraja kesh mbetet mbreti. Ne kemi parë që edhe monedhat virtuale janë bërë të rëndësishme në trafikun e kokainës.
Informacioni ka qenë i vështirë për t’u marrë në rrugë zyrtare vite më parë. Amerikanët kanë detyruar vendet e Amerikës Latine t’i sjellin informacion prokurorisë shqiptare. Ne kemi parë që janë goditur grupe të forta të narkotrafikut. P.sh. vëllezërit Çela nga Elbasani. Është pastaj rasti i Ervin Matës me kokainën drejt aeroportit të Hamburgut, që u kap.
Portet e Brazilit kanë shumë rëndësi në trafikun e kokainës. Nga aty niset një pjesë e madhe e ngarkesave që vjen në Europë. Tre janë vendet: Brazil, Ekuador dhe së fundi, për shkak të dosjeve të fundit, edhe Paraguaji është një vend shumë i rëndësishëm. Prandaj kjo është arsyeja pse kanë zgjedhur Brazilin. Janë me qindra shqiptarë të vendosur në Brazil dhe janë të angazhuar në trafikun e kokainës. Autoritetet shqiptare janë në njëfarë mënyre në një terr informativ se cilët janë bosët e kokainës.



