
Ambientalisti Abdulla Diku mbërritjen e TEC-eve lundrues në Vlorë e cilëson si shqetësues, për shkak të pasojave që do të kenë.
Ai tha për MCN TV se qytetarët nuk janë në dijeni për pasojat për sa kohë këto TEC-e nuk janë funksional.
Imagjino një gjenerator i vogël vihet në lagje dhe dëgjohet zhurmë dhe era e keqe. I bie rreth 200 mijë tonë naftë për një vit për këto TEC-e, i konvertuar në dioksid karboni është 600 mijë ton.
Gjysma e fondit kombëtar pyjor duhet të punojë vetëm për të mbajtur nën kontroll dioksidin e karbonit të lëshuar nga këto dy TEC-e.
Për sa kohë në vendet me demokraci funksionale, kjo teknikë nuk aplikohet, në një zonë ku presim elitën e turizmin, të instalosh përbindësha të tillë, është një e keqe e madhe.
I pyetur lidhur me një program të prezantuar prej tij “Strategjia Evropiane e Pyjeve”, i cili synon të mbillen 3 miliardë drurë, shpjegoi se për Bashkimin Europian dhe vendet europiane dokumente të tilla mbështeten në fakte dhe gjetje reale.
Është diçka absolutisht e arritshme. Vendet e BE kanë mjaftueshëm burime pyjore, për zbutjen e efekteve në ndryshime klimatike.
Është ndëmarrë kjo iniciativë që deri në 2030 të mbillen 3 miliardë fidanë, ose 30% më shumë se sipërfaqja pyjore që ka Shqipëria aktualisht.
Lidhur me strategjinë më të fundit për pyjet e BE-së, 2021-2030 dhe nëse duhet që Shqipëria të shkruajë dokumentin e sajë të politikave pyjore, Diku tha se si shumë dokumente, ligje dhe strategji, edhe këtë e kemi në letër të hartuar në vitin 2018, por hapat drejt zbatimit të këtij dokumenti, është pothuajse zero.
Në zbatimin e politikave në fushën e pyjeve, jemi ende në vitin kur dokumenti është hartuar. Ne kemi regres të madh të burimeve pyjore, pakësim drastik, për shkak të keqmenaxhimit, prerjes, shmangies apo heqjes nga puna të specialistëve të pyjeve.
Bëjmë dokumente për përmirësimin e situatës së pyjeve, por këto politika mbeten në letër dhe nuk zbatohen. Një sektor i lënë tërësisht pas dore ku vit pas viti kemi zjarre masive.
Sivjet kemi të djegur 16 mijë hektarë, duhen 110 milionë euro për ti bërë pyje këto sipërfaqe.



