“Ditëve të fundit i kam parë disa njerëz që shikonin në dritare, rreth shtëpisë sime. Ata ishin aty, unë i pashë, por u zhdukën”.
Këto ishin fjalët e Dejan Krstiçiç, babait që vrau dhe plagosi binjakët e tij në Shtërpcë të hënën mbrëma.
Dejan Krstiçiç, (35 vjeç) nga Shtërpca, i tha dje prokurorit në Prishtinë se nuk i kujtohet arsyeja pse i theri fëmijët e tij, të moshës 40 ditësh, mirëpo e pranoi se i kujtohet tërë ngjarja.
“Ditëve të fundit i kam parë disa njerëz në dritaret e shtëpisë sime, rreth shtëpisë. Unë i pashë, ata ishin aty, por më pas u zhdukën”, i tha Krtiçiç prokurorit në Prishtinë.
Ai ka treguar se të hënën, në ditën që e kreu vrasjen, në mbrëmje patën mosmarrëveshje me gruan.
“Kishim një darkë të këndshme, dhe më pas mora një thikë, desha ta tremb pak Anën. Shkova dhe vrava djalin, por nuk e kuptoj pse e kam bërë këtë”, ka thënë Krstiçiç, shkruan Gazeta Express.
I vogli Dalino Krstiçiç u varros dje në varrezat lokale të Shtërpcës.
Nëna e tij Ana, nuk mori pjesë në varrim pasi ishte me fëmijën tjetër në Nish, i cili kishte marrë plagë të rënda nga thika e babait.



