
Facebook ka hedhur në gjyq kompaninë izraelite të sigurisë kibernetike, NSO Group, të cilën e akuzon se ka ndihmuar qeverinë për të spiunuar mesazhet në WhatsApp të 1 400 personave, përfshirë diplomatë, gazetarë, disidentë dhe zyrtarë qeveritarë, përmes një programi spiun. Në padinë e paraqitur në gjykatën federale në San Francisko, Facebook pretendon se NSO ka shfrytëzuar një defekt të WhatsApp-it për të hyrë në mesazhe, të cilat janë të koduara për të siguruar konfidencialitet.
“NSO ka “vënë në shënjestër” të paktën njëqind mbrojtës të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe anëtarë të tjerë të shoqërisë civile në mbarë botën", shkruajti Will Cathart, kreu i WhatsApp, në një fjalim të botuar në “Washington Post”. Cathart shpjegon se kompania e ka zbuluar në maj atë që po ndodhte dhe i është drejtuar NSO-së, e cila tashmë është nën akuzë për shitje të mjeteve të mbikëqyrjes qeverive represive.
Në një deklaratë, NSO nuk e mohon në mënyrë të drejtpërdrejtë se e ka hakuar WhatsApp-in, por pretendon se i kundërshton akuzat dhe premton se të kundërpërgjigjet. "Qëllimi i vetëm i NSO-së është të sigurojë teknologji për agjencitë e inteligjencës dhe agjencitë e autorizuara të zbatimit të ligjit për të ndihmuar në luftimin e terrorizmit dhe krimeve të rënda", tha kompania.
Pak ditë më parë, gazeta izraelite “Haaretz” publikoi një investigim në lidhje me përgjuesin Pegasus. Sipas verifikimeve që ka bërë gazeta, janë rreth 100 burime të tilla përgjimi në 15 vende të ndryshme të botës. Diktatorët në të gjithë botën - madje edhe në vende pa lidhje zyrtare me Izraelin - i përdorin ato në përgjime për aktivistët e të drejtave të njeriut, monitorojnë emailet, hakojnë në aplikacione dhe regjistrojnë biseda.
NSO Group, e cila ka zhvilluar programin Pegasus, e ka selinë në Izrael. Pegasus, të cilin revista “Forbes” e quajti “seti spiun më invaziv në botë për celularë” në vitin 2016, lejon monitorim pothuajse të pakufizuar, madje edhe komandim, të celularëve: zbulon vendndodhjen e telefonit, e përgjon atë, regjistron biseda, i fotografon ata që ndodhen pranë telefonit, mund të lexosh dhe të shkruash mesazhe me tekst dhe postë elektronike, të shkarkosh aplikacione dhe të kesh akses në fotogaleri dhe listën e kontakteve. Dhe të gjitha në fshehtësi totale.



