Deputeti i PD në legjislaturën që po mbyllet, Kreshnik Çollaku, tha në MCN Live se farsa elektorale nuk mund të shërbejë përjetësisht si alibi për t’iu shmangur analizave dhe kritikës së brendshme në PD.
Çollaku theksoi se deputetë në listën e mbyllur të PD u treguan indiferent në fushatë, ndërsa kryetar degësh që fituan 100 për qind në primare, humbën po 100 për qind përballë PS-së, për shkak të luftës sektare brenda kampit blu.
Çollaku vë në dukje se ndarja brenda PD është ende e pranishme, duke shtuar se duhet pajtim, bashkim, si dhe reformim e krijimi i një fronti realist përballë makinerisë manipuluese të Ramës.
Deputeti në largim fshikulloi eksponentë të caktuar në PD, që sipas tij dikur 'të thyenin brinjët për një foto me Bashën', dhe bëjnë të njëjtën gjë sot me Berishën.
“Ende s’ka filluar një analizë. Fokusi vazhdon mbetet procesi i faktimit i asaj që ndodhi më 11 maj. Unë e mbështes tezën që ka qenë një farsë elektorale. Fokusi është i kësaj që ka ndodhur. E mbështes këtë si nismë, por kjo s’mund të shërbejë përjetësisht si albi për t’iu shmangur analizave dhe kritikës së brendshme. Vjedhja e votave përsëritet për herë të 4, kështu që opozita duhet të ballafaqojë përgjegjësinë, përse për herë të 4 nuk krijon dot imunitetin për ta përballur këtë mekanizëm të Ramës.
Opozita por edhe PD, s’e ka luksin që t’i shmanget përballjes me veten. Po Edi Rama i vodhi zgjedhjet, por opozita dhe PD ishte e paaftë për t’u përballur me mekanizmin e vjedhjes së Ramës. Dhënia e votave për këtë Kod Zgjedhor, ku një kod i tillë pa koalicione parazgjedhore do t’i falte në tavolinë 12 mandate Ramës. Një Kod anormal që vriste garën në ekip. Sidomos për opozitat, të vrasësh garën në ekip, është vetvrasëse.
Kodi induktonte te një pjesë e listës, të sigurtë, indiferencë, dhe te pjesa tjetër një lojë totalisht individuale, që e shthurte ushtrinë. Edhe Kodi i 2021-shin me herësin e çuditshëm, induktonte një lojë në ekip. Pranimi i këtij Kodi në PD ka qenë një gabim katastrofal. PD për shkak të konfliktit të brendshëm, vazhdon të jetë e ndarë. Sot mëritë e atij konflikti në strukturën tonë ekzistojnë, sepse shumë njerëz s’janë angazhuar.
Duhet pajtimi, bashkimi dhe mandej reformimi i opozitës. Kryetar degësh që fituan primaret brenda llojit, humbën 100 për qind përballë PS-së. PD duhet të shërojë në themel sëmundjes. Pajtim, bashkim, reformim dhe front realist përballë makinerisë manipulese të Ramës. Primaret në PD u bënë në këtë frymë, ‘ti je tradhtar se ke qenë te ballkoni! Ti je besnik se ke qenë te ballkoni! Ti ke dalë njëherë me Bashën në fotografi!’ Lufta brenda llojit vazhdoi në fushatë dhe lamë jashtë angazhimit motor elektoralë nëpër zona.
Në Klos janë 100 për qind të kutive të humbura përballë PS-së, zonë bastion e PD-së. Kjo për shkak të një proces sektar brenda llojit. Kryetar degësh që fituan 100 për qind brenda primarëve, humbën 100 për qind përballë PS-së. PD duhet të vrasë luftën sektare brenda llojit! Njerëz që të thyenin brinjët për të dalë në foto me Bashën, bëjnë të njëjtën gjë sot për Berishën! Nuk ua ndjen për partinë. ”



