
Seanca e sotme në Parlament u shoqërua me tension që në nisje.
Deputetët e PD-së, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Ervin Salianji, kanë hedhur miell në drejtim të kryeministrit Rama. Më pas kryetari i Parlamentit, njoftoi përjashtimin e tyre nga seanca e sotme.
Në fillim të seancës, opozita pengoi zhvillimin normal të saj, duke bllokuar foltoren.
Me thirrjet “Liro kuksianët”, ata goditën tryezat duke shkaktuar zhurmë dhe duke e bërë të vështirë vijimin e seancës.
“Nuk do të ketë seancë përsa kohë 11 protestuesit e Rrugës së Kombit janë në burg”, tha ish-kryeministri Berisha.
Pavarësisht bllokimit të foltores, seanca vijoi me miratimin e disa projektligjeve.
Ndërkohë, në përfundim të saj, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se dhuna e opozitës e ka origjinën te procesi i vetingut që ka nisur zbatimin.
“Ka pasur dhunë në Parlament, por pjesa më e madhe ka ardhur nga gra dhe vajza. Procesi i vetingut po ecën përpara. E gjithë kjo dhunë sot është shprehja më e qartë mes gjyqtarëve të krorruptuar dhe politikanëve të korruptuar. Jemi të bindur se të martën, pavarësisht aleancës kundër hapjes së negociatave PD-LSI, do të kemi një lajm të mirë”, tha ai.



