Ministri i Jashtëm grek, Dendias, ndodhet në Kosovë për një vizitë zyrtare. Ish-zv/ministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha, e sheh si të afërt njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Athina, por shton se hapjen e Greqisë në aspektin diplomatik vitet e fundit, qeveria Kurti nuk ka ditur ta shfrytëzojë.
Diplomacia greke ka qenë shumë aktive gjatë këtij mandati. Për fat të keq, zoti Kurti nuk e ka shfrytëzuar. Greqia është afruar shumë edhe në kuptim të njohjes eventuale.
Sikur Kurti të kishte qenë më konstruktiv gjatë këtij mandati, kjo njohje do të kishte ndodhur. Refuzimi i Kurtit për projektin amerikan dhe atë energjetik e ka pamundësuar njohjen. Tani varësisht nga vullneti i palës kosovare, Greqia hyn në pesëshen e vendeve që presin ta njohin Kosovën.
Besoj se Greqisë i është dhënë peshë prej palës europiane të jetë më aktive. Ajo do ta bëjë këtë për dallim nga Spanja, e cila ka marrë një pozicion të ngurtë. Për ne është e rëndësishme që raporti me Serbinë nuk është vetëm Kosovë-Serbi, por edhe raport rajonal.



