Pak shije italiane në shtëpitë shqiptare (VIDEO)

Pak shije italiane në shtëpitë shqiptare (VIDEO)

Në Shqipëri, dëshira për të përqafuar të renë është e dukshme në arredimin e shtëpive, bareve dhe restoranteve. Për arkitektin, Daniele Papa, të qenit gjeografikisht dhe kulturalisht afër e bën shumë të lehtë përshtatjen e stilit italian të arredimit në hapësirat e brendshme në Shqipëri. Në një intervistë për MCN TV, ai vlerëson gurin tipik gri si një element shqiptar që përshtatet mirë me stilin italian, ndërsa në aspektin urbanistik e vë theksin te ruajtja e ekuilibrit mes modernizmit dhe historisë.   

Zoti Papa, çfarë ju sjell në Tiranë?

Punoj për Interni Italia, një kompani italiane e arredimit Made in Italy, në treg prej më shumë se 60 vjetësh. Ne kemi në fokus eksportimin e vlerave Made in Italy në të gjithë botën. Kemi filiale në Europë dhe më gjerë. Së shpejti do të inaugurojmë filialin tonë edhe në Tiranë.

Cilat janë risitë që sillni në Shqipëri në fushën e arredimit?

Sjellim shumë risi. Risia më e rëndësishme është hapja e asaj që do ta quaja një laborator përvojash në Tiranë, në të cilin çdo profesionist mund të drejtohet për shkëmbim idesh, për të diskutuar projekte apo atë që në këtë moment është trendi i dizajnit. Në të njëjtën kohë, edhe individë të veçantë mund ta përjetojnë këtë përvojë, duke marrë pak nga shija e Made in Italy. Mendoj, ndoshta edhe duke bërë pak shaka këtu, se mobiliet kanë lindur në Itali dhe në këtë pikë kush më mirë se ne italianët mund të rrëfejë diçka më shumë për mobiljet dhe tendencat.

A gjeni elementë të stilit italian në shtëpitë e shqiptarëve?

Gjej shumë elementë italianë, sidomos nga pikëpamja konceptuale. Ju shqiptarët, njësoj si ne italianët preferoni t’i ndani gjërat me njëri-tjetrin. Shtëpitë shqiptare gjithnjë e më shumë i shoh të karakterizuara nga ambiente të gëzueshme. Më pëlqen t’i imagjinoj kuzhinat, tashmë si hapësira të hapura, ku ajo që ne e njohim si living room dhe zona ku konsumohet dreka komunikojnë me njëra-tjetrën. Më pëlqen t’i imagjinoj ditët që kalohen bashkë të një nëne që gatuan, ndërkohë që fëmijët bëjnë detyrat dhe babai që sapo është kthyer nga puna, shikon televizor. Pra më shumë sesa nga pikëpamja arkitektonike apo ajo e arredimit, e gjej shumë të ngjashëm konceptin e të jetuarit në shtëpi. Dhe të jem i sinqertë, kam kuptuar se, ndoshta edhe për shkak të afërsisë me ne, e vlerësoni shumë stilin Made in Italy dhe përpiqeni t’i organizoni shtëpitë duke ndjekur trendet tona.

Tridhjetë vjet më parë, shtëpitë në Shqipëri nuk ndryshonin shumë nga njëra-tjetra, në pikëpamje të arredimit. Sot a shikoni elementë tipikë që përfaqësojnë stilin shqiptar?

Në Shqipëri kam frekuentuar kryesisht Tiranën. Ajo që kam vënë re është diversifikimi i stileve. Nga pikëpamja arkitektonike, le të marrim parasysh për shembull kompleksin Rolling Hills. I karakterizuar nga një stil neoklasik, me qendrën historike, që pasqyron urbanizimin modern. Nga pikëpamja e interierit, që është edhe fusha ime, ne nga Interni Italia kemi pasur mundësinë të bashkëpunojmë me disa profesionistë dhe arkitektë të këtij kompleksi, të cilët janë gjithmonë në kërkim të një projekti krejt tjetër nga ato të klientëve të tjerë. Kjo sepse janë gjithnjë në kërkim të diversifikimit, të të qenit ekskluziv.

A mund të flasim për ndikime specifike apo mbetemi te elementët e modernitetit në përgjithësi?

Nuk do të thosha ndikime specifike. Le të themi që më ka ndodhur shpesh të kaloj nga një stil modern, më shumë se bashkëkohor, apo ndoshta edhe pak borgjez. Sidoqoftë, tendenca kryesore aspiron gjithnjë drejt konceptit Made in Italy. Kjo ndoshta edhe për shkak të historisë që na lidh. Kulturalisht, ju shqiptarët keni qenë gjithnjë shumë pranë ne italianëve, kështu që mendimi i parë është gjithmonë ai i ndjekjes së trendit Made in Italy.

A ka një element tipik shqiptar që përshtatet mirë me stilin italian të arredimit?

Një element që më vjen menjëherë është guri që përdorni ju shqiptarët. Guri ngjyrë gri. E vlerësoj shumë, madje edhe në projekte të realizuara në Itali, apo në Zvicër apo Maltë, arrij ta asocioj me konceptin arredues italian.

Hapësirat e brendshme mund të themi që janë zgjeruar sepse edhe familjet nuk janë më aq të mëdha sa dikur. Për një arredues, kjo përbën një sfidë apo një mundësi më shumë?

Mendoj se të dyja këto opsione janë pasqyrim i përgjigjes. Gjatë pandemisë ne u detyruam të qëndronim në shtëpi dhe kjo e bëri akoma më të fortë nevojën për të jetuar mirë brenda atij ambienti. Në të kaluarën ishte shumë e lehtë që në një dhomë të vije një krevat dhe një dollap. Por sot ka kërkesa të ndryshme. Klienti gjithnjë e më shumë është në kërkim të një zone komforti brenda shtëpisë, një zonë kinemaje dhe jo një që i ngjan zyrës. Pra një zonë relaksi. Por ajo që nuk ndryshon është dëshira për të qëndruar në një kontekst bashkëjetese. Pra, nëse dikur kishim dy dhoma, dhe i bënim të dyja dhoma gjumi, sot zgjedhim të shembim murin ndarës dhe të krijojmë një ambient ku mund të vëmë një tryezë të madhe ngrënieje, gjithmonë me një karrige tepër. Sepse mbajmë gjithmonë parasysh një mysafir, jo vetëm gjatë festave të fundvitit. Një kuzhinë shumë të madhe, ku dikush gatuan, ndërsa dikush tjetër shijon një gotë verë ndërsa bisedon me të.

Të kalojmë nga shtëpitë, te baret dhe restorantet. Çfarë vini re në Tiranë, sa i përket stilit, luksit apo përdorimit të hapësirës?

(la cosa che)

Ajo që më ka rënë në sy në lokalet e Bllokut është tendenca për luks, të karakterizuara këto nga elementë metali si ari, bronz, bakër, për të shtuar copat si kadifja. Impakti i luksit shprehet në këtë mënyrë, pra është pak a shumë ajo që kërkohet nga pronari. Por nëse mund të jem pak kritik në këtë pikë, në fund të fundit, në nivel global, kjo është një tendencë homogjene. Lokalet japin pothuajse të gjitha të njëjtën përshtypje dhe të njëjtin imazh. Pra, ne mund të bëjnë shumë për të ndryshuar mënyrën si konceptohet një restorant, për të realizuar diçka që ka impakt, jo detyrimisht duke ndjekur disa rregulla që e kanë karakterizuar deri tani arredimin e lokaleve këtu në Shqipëri.

Në planin urbanistik, çfarë ju bën më shumë përshtypje në Tiranë? Është një qytet që zgjerohet çdo ditë, por ndërkohë ngrihet edhe në lartësi, sa u takon ndërtimeve të reja.

Tirana është një qytet i madh. Prandaj, si i tillë nuk do të mbetet mbrapa në këndvështrimin urbanistik, në krahasim me metropolet në Europë dhe në botë. Ajo që më ka rënë në sy më shumë është dëshira për të ndryshuar. Shoh në Tiranë dëshirën dhe nevojën për të krijuar hapësira të reja, për të përmirësuar standardet e jetesës, duke realizuar infrastrukturë të re, rrugë, aeroporte, parqe. Në të njëjtën kohë, shoh edhe dëshirën për t’u shkëputur totalisht nga e shkuara, që për fat të keq nuk ka qenë shumë e mirë. Shoh dëshirë për të kthyer faqe, për të mos mbetur mbrapa, madje për të ecur në një hap me realitete të mëdha.

Mendoj se historia duhet ruajtur. Sepse në fund të fundit, ajo karakterizon atë që ne jemi. Sidomos kur flasim për Tiranën, mendoj se është shumë e rëndësishme të gjendet ekuilibri i duhur mes modernizmit dhe historisë. Mendoj se ndërtesave dhe strukturave më të rëndësishme historike u duhet dhënë vlerë dhe në të njëjtën kohë ajo që ndërtohet duhet të kontekstualizohet mirë, në mënyrë që të vlerësohet historia e Tiranës. 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy