Policia ka shoqëruar mbrëmjen e së shtunës avokatin Genc Gjokutaj. Ndalimi i tij është bërë nga efektivë të repartit “Shqiponja” në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, pasi ka kundërshtuar urdhrin e policisë për të ndaluar ndërsa udhëtonte me makinë.
Njoftimi i policisë
Më datë 17.12.2016, u arrestua shtetasi: - Genc Gj., 49 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas rreth orës 20:20, tek Sheshi "Nënë Tereza", duke drejtuar automjetin tip "Mercedes Benz", nuk i është bindur sinjalit të Punonjësit të Policisë Rrugore, për të ndaluar. Shërbimet e policisë i janë vënë në ndjekje dhe pasi e kanë ndaluar i kanë kërkuar dokumentet e mjetit. Genc Gj. nuk ka pranuar t’i japë dokumentet punonjësit të policies, por ka filluar t’i ofendojë ata. Ndodhur në këto kushte, punonjësit e policisë e kanë shoqëruar sëbashku me mjetin në ambientet e policisë për kryerjen e veprimeve të nevojshme proceduriale. Ky shtetas dyshohet se drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit dhe i është marrë kampion gjaku pasi ka refuzuar të kryejë testin e alkoolit me aparatin drager. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë Tiranë, për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi", parashikuar nga Nenet 242 dhe 291 të Kodit Penal.



