
Në qytetin e Elbasanit ka nisur çmontimi i tendave metalike nga vetë bizneset, në zbatim të aksionit kombëtar të ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Aksioni synon lirimin e hapësirave publike nga ndërhyrjet pa leje, ndërsa në Elbasan, deri më tani, nuk janë shënuar problematika apo rezistencë e hapur nga subjektet tregtare.
IKMT u ka lënë bizneseve afat deri më 31 korrik për të kryer vetë çmontimin e strukturave metalike. Pas këtij afati, në rast të moszbatimit, ndërhyrja do të kryhet nga vetë institucioni.
Gazetarja Entela Duka tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN Tv se në Elbasan ky proces po zhvillohet aktualisht pa praninë në terren të inspektorëve të IKMT apo të policisë bashkiake.
Shumica e subjekteve që kanë filluar heqjen e tendave ndodhen në bulevardin qendror të qytetit, një zonë e rëndësishme tregtare që përbën gjithashtu burim të konsiderueshëm të të ardhurave për pushtetin vendor me rreth 250 mijë euro të arkëtuara në vit nga tarifat për shfrytëzimin e hapësirës publike.
Duka raporton se drejtuesit e bizneseve shprehen të rezervuar në pritje të një plani të detajuar riorganizimi të hapësirave.
Sipas tyre, nën zë u është bërë me dije se tendat metalike mund të zëvendësohen me struktura më të lehta, si karrige dhe çadra, por deri më tani kjo nuk është komunikuar zyrtarisht.
Të shqetësuar për ndikimin ekonomik të masës, disa pronarë lokalesh thonë jashtë kamerave se kjo situatë mund të sjellë pasoja në shkurtimin e stafit, duke reflektuar drejtpërdrejt në tregun lokal të punësimit.



