
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur qesharake deklaratën e kreut të Kuvendit Glauk Konjufca, i cili ka thënë se mosinformimi i Presidencës për letrën që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e kishte dërguar në Këshillin e Evropës, kishte ndodhur paqëllimshëm “për shkak të largësisë”.

"Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë. Do të befasohesha jashtëzakonisht shumë nëse dikush vërtetë deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë, pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht përmes telefonit, sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit. Të thuhet që një informatë kaq fundamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshuar në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajt deri atë ditë. Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë Osmani për EkonomiaOnline.
Më 16 maj, Gërvalla në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka thënë se qeveria është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. Presidenca reagoi duke thënë se nuk ishte konsultuar për letrën.



