Ndërsa vendi pritet të përballet me reshje bore dhe një valë temperaturash të ulëta, Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur masat që ka marrë për të përballuar këtë situatë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot këto masa, ndërsa u kërkoi qytetarëve të marrin masa për të parandaluar problemet që mund të lindin gjatë ditëve të ftohta si dhe të bashkëpunojnë për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Pjesë nga fjala e Veliajt
Të jenë të hapura në 24 orë të gjitha njësitë bashkiake për të ofruar kushte dhe ngrohje për njerëzit në nevojë.
Ju ftojmë të ndihmoni me batanije dhe veshje të ngrohta. Të hapura të gjitha qendrat sociale. Grupet e punonjësve social dhe punonjësit e policisë bashkiake do të patrullojnë në terren. U kërkoj administratorëve të mbledhin kryepleqtë e komunitetit dhe të bëjnë identifikimin paraprak të personave me aftësi të kufizuar apo të moshuarve që jetojnë vetëm.
Kemi marrë masat që ndërmarrjet tona në zonat e thella të Tiranës të nisin shpërndarjen e kripës në rrugët që mund të bllokohen. Qytetarëve të Tiranës u bëj thirrje të kufizojnë daljen në orët e ftohta. Evitoni aktivitetet të rënda fizike që përfundojnë me djersitje. Vizitat në Dajt mund t’i ruani për kohën pasi të kalojë i ftohti. Njoftoni shërbimet e emergjencës në numrin 112 nëse shihni njerëz në nevojë në rrugë.
Duke filluar nga unë, do të jemi në dispozicion 24 orë në 24. Nëse kemi sens përgjegjshmërie, mund ta kalojmë me sukses këtë situatë.
Numri i bashkisë: 08000888
Numri i policisë: 112
Numri i zjarrfikëses: 128



