Pas vizitës në Kosovë dhe Serbi të të dërguarit të SHBA Gabriel Escobar, BE dhe SHBA kanë këndvështrime të kundërta sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillit Evropian. Ndërsa vizita në Kosovë e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar është pasuar nga një sërë reagimesh ndër radhët e ndërkombëtareve.
Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken përforcoi qëndrimin e Escobar duke thënë se Ballkani Perëndimor është një çështje që zë një vend shumë të veçantë në administratën e presidentit Joe Biden.
Ndërsa ligjvënësi i Bundestagut gjerman Knut Abraham tha se e vlerëson shqetësimin e emisarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, por i siguron atij se Asambleja Kombëtare e Këshillit të Europës do të përcaktojë në mënyrë të pavarur kriteret e anëtarësimit të Kosovës në këtë Këshill. Në fjalën e tij Abraham po ashtu thotë se SHBA nuk mund t’i plotësonte vetë këto kushte për shkak të dënimit me vdekje që ajo ka të legjitimuar.
Në vazhdën e këtyre reagimeve, për profesorin e shkencave politike Nexhmedin Spahiu, Amerika nuk lëviz nga pazaret që ka bërë me Serbinë, duke theksuar se në tavolinën e dialogut do vijojë të qëndroj çështja e Asociacionit.
Amerikanët duan me çdo kusht të mos lëvizin nga pazari që e kanë bërë me Serbinë. Nuk duan t’i japin shkasë Serbisë që të thonë na i lëvizet fjalët. Duan që njëherë të bëhet njohja nga Serbia, dhe pastaj hapen rrugët për Kosovën për Këshillin e Europës, NATO-n, e kështu me radhë. Kurti po i lëviz gurët e pazarit, atë që janë marrë vesh në Bruksel. Lëvizje ishte për punën e dinarit, lëvizje ishte kjo për anëtarësimin në Këshillin e Europës. Amerikanët kanë frikë se edhe Serbia u ikën nga ky pazar, prandaj po kundërshtojnë. Kosova është gur shumë i vogël që të ketë përplasje mes BE-së dhe SHBA-ve. Ka deputetë që japin deklarata, por mendoj që amerikanët dhe europianët do jenë në një zë për Kosovën, si është edhe puna e kësaj marrëveshjes së fundit, me ndërmjetësim europian, por ku amerikanët kanë qenë brenda”.
Ai pati kritika të forta edhe për lidershipin e Kosovës.
Beogradi është mësuar që Kosova vazhdimisht të punojë veresie, gjë që nuk ecën me Albin Kurtin. Ai nuk e ka sensin diplomatik, mjeshtërinë diplomatike, që këtë ta artikulojë. Presidentja që është pjesë e diplomacisë së Kosovës është shumë egocentrike, s’ka sens për diplomaci, ministrja e Jashtme dhe Kurti s’kanë sens për diplomaci, dhe tani si të paketohen veprimet e drejta që i ndërmerr Kurti. Nuk është që Kurti s’bën hapa pas, lëshime, reflektime. Kjo për manastirin e Deçanit ishte një lëshim, të cilin ai e gëlltiti që të ecin proceset përpara. Problemi qëndron që ai s’ka zotësinë apo njerëzit e afërt të aftë, që veprimet e tij t’ia komportojnë diplomatikisht. Është një tjetër gjë të prodhosh një gjë të mirë, tjetër ta shesësh atë.
Gjate vizitës së tij Eskobar deklaroi se për anëtarësimin në Këshillin e Europës, Kosovës i duhet të përmbushë dy kushte që lidhen me shpronësimet që po bëhen në veri dhe Asociacionin.
Në fund të kësaj vizite Ambasada Amerikane në Kosovë ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale ku thekson se mbështetja e SHBA-ve për Kosovën është e palëkundur.



