Avokati Redi Ramaj thotë se kryeministri Rama po e sulmon SPAK, në mënyrë që të intimidojë prokurorët që të mos ndërhyjnë në planet e tij me administratën për zgjedhjet. Në studion e lajmeve të MCN, Ramaj tha se strategjia e SPAK për hetimin e krimit zgjedhor është detyrë e tij dhe nëse kryeministri i kërkon të mos e bëjë, atëherë po konsumon një vepër penale.

Nëse administrata, PS, PD ndërhyn dhe kryen vepra penale sa u përket krimeve zgjedhore, jo vetëm është detyrë e SPAK për të hetuar. Nuk mundet që 30 e ca vite pas ndërrimit të sistemit të përdoret administrata.

Kryeministri e di që të vetmen formë për të marrë vota e ka presionin për punonjësit. SPAK ka paralajmëruar se do të ketë një skemë për të ndjekur krimet zgjedhore. Unë shoh që kryeministri po konsumon edhe vepra penale dhe duhet të jetë nën hetim. Po i kërkon një institucioni të mos bëjë detyrën.

Ramaj tha më tej se fokusi i hetimit për krime zgjedhore duhet të jetë terreni, atje ku realisht ndodh manipulimi apo shitblerja e saj.

SPAK nuk ka nën monitorim median në vetvete. Ajo ndjek indicie që mund ta çojnë te njerëz që manipulojnë votuesin me veprime të paligjshme. Në fokus nuk do të jetë media, por kandidatët që përpiqen ta përdorin atë. Në fushata të tjera kemi parë sesi njerëzve u kërkohet vota me presione, me para dhe me mënyra të tjera. Prokuroria e Posaçme i ka ndarë në 12 qarqe prokurorët. P.sh. rasti i zotit Çyrbja është një rast kur përdoren bandat. Ndaj vota duhet të ruhet nëse ka shitblerje në terren. Nuk mendoj se problemi do të jetë te media.

Sipas Ramajt, përplasjet e kryeministrit me SPAK janë më të hershme sesa momenti i arrestimit të kryebashkiakut. Kjo për shkak të raportit të tij të pasinqertë me reformën në drejtësi.

Është e qartë që ka përplasje me SPAK. Edhe para arrestimit të Veliaj, Rama nuk e ka pasur seriozisht reformën në drejtësi. Bën sulme kundër prokurorisë së posaçme në mënyrë që ta intimidojë mos të ndërhyjë në pazaret që bën për votën. Nëse ti manipulon zgjedhësit, çon para te votuesit apo bën veprime të tjera me komisionerë, jemi në një kushtet e një krimi zgjedhor. Ai po përdor çdo mundësi për të mbajtur pushtetin. Nëse do të ishin në formë ligjore, atëherë nuk do të kishte arsye të bënte gjëra që janë në fokusin e prokurorisë së posaçme.