
Ish-shefi i CIA-s, John Brennan, ka thyer heshtjen pas votimit të enjten të rezolutës së OKB-së, e cila kundërshtoi njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-të. Brenan kritikon kërcënimin e administratës Trump ndaj vendeve anëtare të BE-së, të cilat me anë të kësaj rezolute dalin kundër vendimit të SHBA-ve.
Ish-shefi i CIA-s thotë se sjellja e presidentit Trump është ajo e një autokrati narcist dhe hakmarrës.
Në mbledhjen e Asamblesë së OKB-së që u mbajt mbrëmë, 128 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, votuan pro rezolutës që u kërkon SHBA-ve të anulojnë “njohjen provokuese të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit”. 9 vende anëtare e kundërshtuan këtë rezolutë, ndërsa 35 të tjerë abstenuan.
Me anë të ambasadores në OKB, Nikki Haley, vetëm pak orë para votimit, administrata Trump shprehu qartë se SHBA-të do të mbajnë shënim çdo votë dhe do ta kujtojnë pozicionimin e secilit vend sa herë t’u kërkohet kontribut.
Por ish-kreu i CIA-s, Brennan, i quan këto kërcënime përtej përbuzjes.
“Kërcënimet e administratës Trump se do të hakmerret ndaj vendeve që ushtrojnë të drejtën e tyre sovrane për të kundërshuar qëndrimin amerikan mbi Jeruzalemin janë më shumë se përbuzëse. Kjo tregon se Donald Trump pret besnikëri të verbër dhe nënshtrim nga secili prej tyre, cilësi që gjenden zakonisht në liderët autokratë, narcistë dhe hakmarrës", shkroi ai në "Tuiter".
Reagimet
Votimi i rezolutës u pasua nga reagime të shumta të politikës ndërkombëtare. Vetë presidenti izraelit, Benjamin Netanjahu, e cilësoi rezolutën qesharake. “Jeruzalemi është kryeqyteti ynë, ka qenë gjithmonë dhe do të jetë. Por unë vlerësoj faktin se një numër i madh vendesh refuzuan të merrnin pjesë në këtë teatër absurd”, ka thënë ai.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Abu Mazen, ka deklaruar sot në Paris se nuk do të pranojë asnjë plan paqeje nga SHBA-të në konfliktin me Izraelin.
“Nuk do të pranojmë asnjë plan nga SHBA-të”, tha ai në përfundim të një takimi me presidentin Emanuel Macron.
Ndërsa presidenti turk, Erdogan, tha para votimit të rezolutës në OKB, se Trump nuk mund të blejë vullnetin e lirë dhe demokratik të Turqisë me paratë e tij.
“Ata po kërkojnë njerëz që mund t’i blejnë me dollarët e tyre. Vendimi ynë është i qartë”, tha ai duke u bërë thirrje vendve të tjera që “të mos e shesin demokracionë për pak dollarë”.
Ndarja në dy grupe dhe ndihma amerikane
Izraeli e pushtoi Jeruzalemin lindor në luftën e vitit 1967, ndërsa palestinezët e duan atë rajon si kryeqytetin e shtetit tyre të ardhshëm.
Ministri i Jashtëm Iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se votimi i së enjtes ishte një refuzim i qartë ndërkombëtar ndaj “intimidimit të tmerrshëm” të administratës Trump.
Vendet që abstenuan ishin Argjentina, Australia, Kanadaja, Kolumbia, Republika Çeke, Hungaria, Meksika, Filipinet, Polonia, Ruanda, Sudani i Jugut dhe Uganda.
Ndërsa në listën e atyre që mbështetën vendimin e SHBA-ve ishin Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Palau, Togo dhe vetë Izraeli.
Paralajmërimet e Trump-it për ndërprerjen e fondeve i tronditën disa prej aleatëve të SHBA-ve. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, tha se mënyra si është votuar mbetet një faktor që Uashingtoni do ta marrë në konsideratë në politikën e jashtme.
Sipas të dhënave të USAID-it, në 2016-n, SHBA-të dhanë 13 miliardë dollarë ndihmë ekonomike dhe ushtarake për vendet e Afrikës Subsahariane dhe 1.6 miliardë për Azinë Lindore dhe Oqeaninë.
Për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, mbështetja amerikane gjatë 2016-s ka qenë 13 miliardë dollarë, 6.7 miliardë për vendet e Azisë Jugore dhe Qendrore, 1.5 miliardë për vendet e Euroazisë dhe 2.2 miliardë për vendet e hemisferës perëndimore. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



