Dy ditë pasi banesa iu përfshi nga flakët, i moshuari Koço Zhidro ka ndërruar jetë në spitalin e Korçës.
I moshuari i cili vuante edhe nga problemet e frymëmarrjes nuk ja ka dalë për të mbijetuar megjithë përpjekjet e shumta të mjekëve për ta mbajtur në jetë.

89 vjeçari Koço Zhidro jetonte i vetëm në një banesë dy katëshe në një lagje periferike të qytetit të Korçës dhe për të kujdesej kohët e fundit një 47 vjeçare e cila ditën e ngjarjes ka qenë në banesë sëbashku me të moshuarin.
Sipas policisë lokale mëngjesin e dy ditëve më parë i moshuari ka qenë i shtrirë në krevat kur kuvertat janë përfshirë nga flakët duke i shkaktuar djegie të shumta trupore.
Djegie ka pësuar edhe 47 vjeçarja gjatë kohës kur i ka ardhur në ndihmë për largimin e kuvertave që po digjeshin në krevatin e 89 vjeçarit, e cila vijon të jetë e shtruar në Spitalin e Korçës.
Policia tha se zjarri ka qenë aksidental duke lënë të kuptohej se mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia e 89 vjeçarit.



