
Dokumentet sekrete të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, do të bëhen publike pas urdhrit nga presidenti amerikan Joe Biden.
Vendimi është lexuar si një gjest mbështetës për familjet e viktimave që kanë kërkuar prej kohësh të dhëna, me shpresën për të gjetur informacion.
Urdhri vjen afro një javë para 20 vjetorit të sulmeve, ndërsa shkak u bë konflikti që nisi muajin e kaluar kur rreth 1,800 të afërm të viktimave, të mbijetuar dhe punonjës së vijës së parë të frontit, thanë se ishin kundër pjesëmarrjes së Presidentit Biden në ngjarjet përkujtimore të 11 shtatorit 2001 nëse dokumentet mbeteshin sekrete.
Në urdhrin ekzekutiv janë bërë publike arsyet e këtij publikimi: "Ngjarjet në fjalë ndodhën dy dekada më parë, dhe ato kanë të bëjnë me një moment tragjik që vazhdon të jehojë në historinë e vendit.
Prandaj është jetike të sigurohet që qeveria e Shteteve të Bashkuara të maksimizojë transparencën, duke u mbështetur në klasifikimin si informacion sekret vetëm kur është e nevojshme".
Këto dokumente do të publikohen gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.



