Analisti Mentor Kikia thotë se për zgjedhjen e Presidentit, kriteret ligjore i përcakton Kushtetuta, datën Konferenca e Kryetarëve, dhe në negociata palët diskutojnë për një emër se kush është personi, nëse është i denjë apo jo, për të qenë kryetar i shtetit, duke iu përmbajtur disa parimeve për integritetin.
Nga negociata në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, shkohet në një proces tjetër, në atë që quhet pazar. Hajde të merremi vesh paraprakisht pa patur emrin në tavolinë dhe në fund të bëjmë publik dhe emrin.
Emrat që janë folur publikisht, jo zyrtarisht janë me dhjetëra. Negociatat fliten për një emër konkret.
Nëse ky është një person me dinjitet dhe personalitet, mund të ketë dhe anëtar të opoziëts që mund ta japin votën. S’ka nevojë të vazhdojë legjenda e raundeve të votimit.
Gjërat janë shumë më të thjeshta nëse palët kanë vullnet për ta bërë këtë punë.
Për MCN Live, Kikia deklaroi se procedura e votimit në radhët e socialistëve, ishte një përpjekje marketingu për ta shitur procesin brenda mazhorancës si një gjë transparente demokratike, ku anëtarët e parlamentit të mazhorancës, propozonin kandidaturat e tyre dhe se nuk prodhon asgjë përveç imazhit.
Rama mund t'i kishte pyetur në një mbledhje me dyer të mbyllura dhe secili të thoshte emrat. Është marketing politik, pjesë e diskutimit futen shumë emra, opozita me gjasë nuk do të ketë një emër të saj, mazhoranca socialiste është në pozicion komod dhe mund të pranojë një President me profil jo socialist.
Nuk është e thënë të jetë anëtar i dy grupimeve. Mund të jetë socialist, por mund të jetë dinjitoz dhe të gëzojë pëlqimin e opinionit. Nuk duhet të ketë asnjë paragjykim.
Unë mendoj se Presidenca nuk është një trofe ku dikush duhet ta fitoj, as edhe një paketë ku ai që zotëron pushtetin t’ia dhurojë dikujt për mirënjohje.
Kryetari i shtetit është figura më e lartë përfaqësuese e shtetit dhe kërkon seriozitet. Nga mënyra se si do të zgjidhet do të varet edhe autoriteti, nëse zgjidhet nëpërmjet pazaresh, do e bëj jo serioz.
Nuk do ketë konsensus mes mazhorancës dhe opozitës se vetë opozita nuk ka një përfaqësi unike, do jetë një dakordësi mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës.
Do ketë dhe një faktor të nëndheshëm, faktori ndërkombëtar, besoj se në një farë mënyre do ketë një shkëmbim dakordësie në distancë mes atyre që kanë në dorë për të zgjedhur Presidentin, për të thënë se ky është figura e duhur.
Kikia shtoi se brenda grupimeve të mazhorancës ka qarkulluar emri i Mimi Kodhelit, por tha se Edi Rama përjashtoi se do të jetë në radhët e socialistëve.
Nuk mendoj se duhet të jetë tërësisht i pavarur dhe të jetë një person që merret duke luajtur dominio. Një njeri që mund të ketë një teser të PS ose PD, mund të jetë shumë më efikas, se dikush që nuk ka teser.
Më shumë se kriteret kushtetuese, Presidentin do e bëjë dinjitoz statura e tij. Visar Zhiti është njeri me profil intelektual, serioz, i bën nder çdo institucioni, përfshirë dhe Presidencës, por këtu futen konjukturat politike. Një arsye pse s’po bëhen publik emrat është se sa herë është futur procesi në emra, janë kontestimet paraprake. Pa emër s’ka negociata!
Sipas tij, karakteri për t'i dhënë seriozitetin postit, nuk varet as nga Kushtetuta dhe as nga konsensusi.
Lidhur me deklaratën e Kryeministrit Edi Rama se do i shtohen kompetencat Presidentit, deklaroi se kur Vladimir Putin ishte Kryeministër merrte kompetencat e Presidentit dhe i çonte te Kryeministri dhe anasjelltas.
Edhe me kaq kompetenca sa ka, Presidenti është figura më e lartë e shtetit dhe mund ta krijojë autoritetin e tij edhe me kompetencat që ka për të mos u bërë palë.



