Deputetët Taulant Balla dhe Ben Blushi kanë shkëmbyer replika gjatë seancës së sotme në Parlament. Pas fjalimit të Blushit, i cili shpjegoi arsyet e largimit të tij nga PS-ja, Balla iu kundërpërgjigj duke thënë se nuk ishte aspak serioz dhe mandatin e tij si socialist duhet t’ia kthejë PS-së.
Blushi tha se në kushte normale do ta kishte bërë këtë, por mandati i tij mund t’i shërbejë dikujt që nuk përfaqëson realisht socialistët e thjeshtë. Blushi iu rikthye 21 janarit, duke kritikuar PS-në se gjatë 3 viteve në pushtet nuk bëri asgjë për t’u dhënë drejtësi familjeve të viktimave.
Balla
Bëre gabim kur fole për kanabisibn se fole si Sali. Ministri i Brendshëm ka bërë punë të shkëlqyer për të dekanabizuar Shqipërinë.
Deklaratat e tua tregojnë se nuk je serioz. Megjithatë udhë të mbarë dhe kërkojmë që socialistëve t’u kthesh mandatin që u ke marrë padrejtësisht.
Blushi
Në dilemë jam ta prish solemnitetin e kësaj dite duke u marrë me rilindas, ka dy vjet që në PS bëhet një tender, kush shan më shumë Blushin. Ti Taulant e ke fituar disa herë. Mund të vazhdosh ta bësh. Ikja nga një parti pas 20 vjetësh nuk është diçka që ndodh shpesh. Unë kam më shumë keqardhje për atë që vjen dhe për këtë ika. Në kushte normale do ua kisha dhënë mandatin, por për çfarë vlen kjo. Kujt t’ia jap, Elvis Roshit, Armandos, Arben Ndokës, ndonjë kanabisti që i shpëton policisë me ndihmën tuaj? Keni parë njeri që ikën nga pushteti në opozitë? Ne po shkojmë për nderin tonë nga pushteti në opozitë. Por jo në opozitë me PD, se ata janë në pushtet me ju. Ne jemi në opozitë me mashtrimin.
Keni 3 vjet në pushtet. Ju që qani për 21 janarin dhe nuk bëtë asgjë për ta. Kush i çoi në pritë ata? I vrau Berisha, por në pritë i çuat ju.
Balla
Mua më vjen mirë që largohen deputetët turistë, ata që marrin mandatin dhe nuk shkelin më te ata që i kanë votuar. Ata që zgjedhjet i quajnë krim, bëjnë krimin dhe gënjeshtrën e radhës, më vjen mirë që kjo po merr fund.



