Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një dalje publike ka folur sot për situatën e pandemisë në vend, që e ka cilësuar kritike, por brenda kontrollit. Manastriliu ndër të tjera thotë se janë rritur vatrat e infenksionit, por mbron me fanatizëm strategjinë e testimeve.
“Përsa i përket ditëve të fundit situata është e kontrolluar, por është kritike, sepse krahasuar me një muaj më parë janë dyfishuar rastet ditore. Që nga fillimi i pandemisë dhe deri më tani një gjë nuk ka ndryshuar: nevoja për të vijuar izolimin dhe karantinimin në rast se keni dyshime se jeni të prekur.
Përsa i përket strategjisë së testimeve dua të them se ka qenë efektive. Mund të ketë vend për përmirësim padyshim, por ajo që është bërë, është bërë brenda mundësive që ne kemi.
Shqipëria qëndron në një incidencë dy javore në 101 raste në krahasim me rajonin që është 1154 banorë. Mjekët dhe infermierët kanë bërë më të mirën e tyre por nuk ja kanë dalë 612 qytetarë dhe nëse do të bënim një vlerësim të fataliteteve për 1 mln banorë, vendi ynë qëndron në 26 humbje jete ndërsa në rajon është 31.5. Vihet re një rritje e numrit të vatrave të infektimit, ato aktive ku 76 % rezultojnë të jenë vatra familjare. Dua të vendos theksin në rëndësinë e rolit që ka çdo qytetar në këtë moment", tha Manastirliu.
Ajo bëri një përmbledhje të situatës së Covid-19, duke u ndalur te rritja e testimeve dhe financimi i testeve të shpejta.
“Nga qershori kur ne kishim fare pak raste të të prekurve, krahasuar me sot dhe ku totali i testimeve ka qenë 8883 testime, tetori është mbyllur me 39 mijë e 51 testime dhe vetëm në 13 ditët e para të nëntorit janë 24 mijë e 48 testime të kryera në sistemin tonë publik dhe 11 mijë e 380 të kryera për efekt të depistimit në sistemet jo publike në laboratorët e çertifikuar me metodën e PCR. Numri i testimeve është rritur nga nevoja dhe nga situata epidemiologjike”, tha Manastirliu.
Gjatë fjalës saj, ministrja tha se është bërë porosia për 300 mije teste të shpejta.
“Jemi të përgatitur për të financuar testet e shpejta. Është bërë porosia nëpërmjet instrumentit të Bashkimit Europian për 300 mijë teste të shpejta të anti-genit me financim të qeverisë shqiptare”, tha Manastirliu.
Manastirliu bëri dhe një pasqyrim të situatës epidemiologjike duke bërë dhe një krahasim me vendet e rajonit.
“Shqipëria qëndron në një incidencë dyjavore për total 100 mijë banorë në 901 raste, krahasuar me mesataren e rajonit 1454 të prekur për 100 mijë banorë. Ashtu sikurse përsa i përket rasteve të fataliteteve që nëse do të bënim një vlerësim të fataliteteve për 1 milion banorë vendi ynë qëndron në 20.6 humbje jete. Dhe një krahasim të vendeve të rajonit, 31. 6 është mesatarja e vendeve të rajonit për fatalitete. 48.8 është mesatarja e Bashkimit Europian”, tha Manastirliu.



