Kryeministri Rama, sipas gazetarit Robert Papa, i druhet hetimit direkt të SPAK. Në studion e lajmeve, Papa tha se ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar antikorrupsion është më shumë një formë shantazhi, që gjithsesi nuk gjeti mbështetjen absolute të maxhorancës.

Formë shantazhi. Rama ka parë se gjysma e qeverisë së tij ka shkuar në SPAK. Me akuzat edhe në mediat e huaja, Rama e ndien se SPAK i ka shkuar pranë. Me 74 vota tregon se maxhoranca e tij është e brishtë.

Rama duhet të shohë çfarë ndodh në Gjeorgji. Ai shtet ka kaluar disa ligje që kundërshtohen nga amerikanët.

Papa tha se prokurorët e SPAK janë nën trysninë e politikës.

Nuk besoj se janë jashtë trysnisë politike. Janë nën trysni, por Rama ndien rrezikun. Ai ka spiunë brenda SPAK dhe e ka kuptuar se ai nuk do të ketë punë vetëm me ushtarë të vegjël. Nuk mund të arrestosh vetëm një ish-kryeministër dhe ish-president që e mban në arrest shtëpie pa afat me një korrupsion të këtyre përmasave në qeveri e bashki. Është një lojë që Rama kërkon të bëjë, për të treguar ndaj Dumanit dhe SPAK që unë ju kontrolloj.

Sipas Papës, Rama ka një maxhorancë të brishtë dhe kjo e step para një sulmi të hapur ndaj Veliajt.

Rama ka probleme me gjendjen mendore. I duket vetja lider global. Takimi në një fshat 40 km larg Milanos i ka krijuar idenë që mund të zëvendësojë Mehmet Shehun apo Enver Hoxhën.

Maxhoranca e tij me 74 vota është e brishtë, ndaj nuk po i hap luftë Veliajt sepse Xhafa dhe company mund të kenë 7-8 vota dhe ai ndihet i kërcënuar.

Ramën do apo nuk do, reformat do ta marrin përpara.

Lidhur me mundësinë e zgjedhjes së Argita Berishës në krye të PD-së, Papa tha se një model I tillë nuk është pozitiv për demokracitë e pakonsoliduara.

Është një tezë, ka shprehur disa dëshira. Nuk besoj që t’i ndalohet zonjës ta ketë këtë ëndërr. Nuk jemi mbretëri, jemi republikë. Por nëse bëhet me votë, po. A do zgjedhë Shqipëria modelin e Greqisë, apo do të sigurojmë një demokraci përfaqësuese? Për Shqipërinë, ky model nuk është diçka pozitive.