Banka e Shqipërisë ka shtyrë pezullimin e një kompanie mikrokredie e licencuar edhe në vjeljen e borxheve të këqija ndaj bankave e shoqërive të mikrokredisë. Bëhet fjalë për kompaninë Micro Credit Albania, licenca e së cilës është pezulluar nga Banka e Shqipërisë që në vitin 2022, ndërkohë që një vendim i shkurtit të këtij viti, po nga Banka e Shqipërisë, e shtyn edhe me 6 muaj pezullimin e licencës së kompanisë.
Në studion e MCN TV, gazetarja Ola Xama, shpjegoi mekanizmin përmes të cilit mijëra qytetarë janë shtrënguar të paguajnë debi përtej asaj që parashikon ligji.
E gjithë skema e mashtrimit e ka zanafillën te shitja e portofolit të borxheve nga bankat e nivelit të dytë te kompanitë e mbledhjes së borxhit. Kompania në fjalë shtrëngonte kredimarrësit që jo vetëm të paguanin debinë, por edhe bllokonte pronat e qytetarëve duke i shtrënguar të merrnin kredi. Skema bëhej në bashkëpunim me disa punonjës të bankave të nivelit të dytë duke futur një çek. Debitori firmoste një kredi tjetër me interesa të larta, duke thyer çeqet e Microcredit.
Ishin 17 mijë qytetarë të prekur. Thonë që skema ka vijuar të rekrutojë një numër tjetër qytetarësh. Bëhet fjalë për 20-25 mijë qytetarë. Rasti më flagrant ishte bllokimi i dy apartamenteve për 50 mijë lekë të vjetra.
Sot nëse shkon në një bankë të nivelit të dytë, ka një nen te kontratat, ku lejohet shitja e kredisë pa të njoftuar. Këtu nis mashtrimi. Banka duhet të njoftojë edhe për vlerën e detyrimit që e ka shitur këtë kredi. Ka shumë qytetarë që nuk janë njoftuar për këtë. Ka një hapësirë shumë të madhe ligjore që ka nevojë për t’u rregulluar, që autoritetet e kanë pikasur por nuk e kanë rregulluar.
Xama solli raste konkrete të shtrëngimit të kredimarrësve për të paguar me bllokimet e pasurive të paluajtshme apo të ardhurave mujore.
Janë kredi të vogla për individë, kredi për makina, për telefonë, për biznese të vogla. Një pjesë e tyre kanë qenë edhe kredi për emigrim. Pasi kanë dështuar janë kthyer këtu dhe kanë parë që papritur nuk kishin më as shtëpi. Një rast kishte marrë një kredi në një bankë të nivelit të dytë, 9 milionë lekë. Kishte shkuar dikush nga ADCA, studio ligjore që punonte për Microcredit, dhe i kishin thënë që do të të marrim edhe shtëpinë. Kërkonin jo 9 milionë lekë të vjetra, por 43 milionë lekë të vjetra.



