Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka bërë thirrje për një bashkim të gjerë të opozitës politike dhe shoqërisë që proteston, duke propozuar hapa konkretë institucionalë për të garantuar votën e lirë.
Për MCN TV, Mediu theksoi se largimi i qeverisë aktuale nuk bëhet vetëm me thirrje në protesta, por përmes votës dhe rregullave kushtetuese. Ai propozoi marrjen e shembullit të Maqedonisë së Veriut për funksionimin e një qeverie teknike përpara zgjedhjeve.
Besoj që ka dy elementë që e bëjnë bashkë shoqërinë shqiptare, atë që është në protestë dhe opozitën politike. E para, duhet të biem dakord që kemi një qeverisje të korruptuar dhe inkriminuar që nuk respekton ligjet dhe parlamentin dhe duke u bashkuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu që mendoj se duke parë ato që sot diskutohen nga studentët dhe mjedisi politik, kërkesa e parë e kësaj tryeze do ishte kërkesa për dorëheqjen e Ramës dhe e dyta krijimi i qeverisjes kujdestare, ku caktohen qartë kush janë përfaqësuesit në qeveri për të pasur njerëz me integritet brenda dhe jashtë vendit për t'i shërbyer vendit për një periudhë 6-mujore, dhe kjo të kthehet në një normë kushtetuese. Shembulli i Maqedonisë është një shembull për t'u vlerësuar. Pastaj për të vajtur te pika e rëndësishme, që të bëhen këto më sipër duhet të kemi një reformë zgjedhore ku ndahet krimi nga qeverisja, po ashtu ndarja e shtetit nga pushteti për të vajtur pastaj se roli kushtetues i parlamentit.
Përveç reformës zgjedhore dhe asaj territoriale, kreu i PR-së vuri theksin te nevoja për kufizimin e mandateve të kryeministrit për të shmangur përqendrimin e tepërt të pushtetit.
Tjetër çështje e rëndësishme është limitimi i mandateve të kryeministrit sepse është bërë me qëllim që të mos kemi mbivendosje të shtetit dhe pushtetit mbi interesat e qytetarëve, si në rastin tonë që kryeministri jonë e ka tejkaluar këtë se nuk njeh as ligj dhe parlament. Mbi të gjitha kemi sprovën e madhe që janë zgjedhjet lokale dhe ky formacion i përbashkët duhet t'i japë mundësi çdo forumi politik për të propozuar kandidatët për kryetar bashkie për të arritur në një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale sepse e kundërta favorizon Edi Ramën. Klasa politike nuk largohet përmes thirrjeve në protesta, por përmes votës dhe rregullave kushtetuese dhe për këtë duhet të bashkojmë forcat dhe emrat.



