Kreu i një banke private është shprehur së fundmi që qeveria duhet të bashkëpunojë ngushtë me kompanitë e ndërtimit dhe sektorin bankar për të siguruar financimin e projekteve madhore në sektorin e turizmit.
Për ekspertin e ekonomisë Selami Xhepa, ky propozim është i papranueshëm pasi nuk mund të bëhet shteti dorëzanë për interesat private.
Sa i takon propozimeve duhen marrë me rezerva serioze se qoftë bankat, qoftë operatorët turistikë janë biznese private që operojnë mbi bazën e planeve të tyre të leverdisë ekonomike.
Roli i shtetit është vetëm në politikat e përgjithshme, apo reformat e përgjithshme që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit sesa përfshirjen e shtetit në çdo lloj roli, e aq më tepër si garantor i financimeve, rol që qeveria nuk mund ta marrë dhe nuk duhet ta marrë kurrsesi.
Nëse qeveria ka qellim të shfrytëzojë pronat e saj, dëshiron t’i zhvillojë si lehtësi turistike kjo është një gjë dhe në këtë rast shteti duhet të përdorë rregullat e tregut të lirë në mënyrë që ndërlidhja mes biznesit dhe sektorit bankar të jetë marrëdhënie me qëllim fitimin .
Se ndryshe nëse këto biznese mund të mos rezultojnë me norma të tilla fitimi, nuk mundet që qeveria dhe taksapaguesit të mbulojmë fitimet e munguara të bankave apo të shlyejmë kreditë e hoteleve private për të përmbushur detyrimet e tyre ndaj bankave. Është marrëdhënie incesti mes sektorit të industrisë dhe bankave dhe përfshirjes së shtetit në këtë marrëdhënie që është ngushtësisht për qëllime fitime .
E quaj të papranueshme këtë ide që shteti të behet dorëzanë për interesa private. Flasim për interesa të mirëfillta të fitimit.
Edhe nëse qëllimi i shtetit të jetë të zhvillojë pronat, korporatat duhet të operojnë me mendësitë e tregut.



