Gratë dhe fëmijët e Maradonës nisin “luftën” për pasurinë (VIDEO)

Gratë dhe fëmijët e Maradonës nisin “luftën” për pasurinë (VIDEO)

"Diego nuk e mendonte vdekjen, ai kurrë nuk foli për të. Dhe ishte akoma i dashuruar me mua”. Kështu i kujton ditët e fundit të legjendës së futbollit Rocìo Oliva, e dashura e fundit e Maradonës, në katër ose pesë intervistat e fundit të dhëna vetëm këtë javë. Në telenovelën që pasoi vdekjen e yllit të futbollit, Rocio luan rol kryesor. Për këtë i ka të gjitha: bjonde, seksi, nuk i mungojnë fjalët, tridhjetë vjet më e re se ish-kampioni me të cilin kishte një lidhje nga 2012 në 2018, një fëmijëri e vështirë me një baba të vrarë, një karrierë si futbolliste para se të bëhej fytyrë e shoubizit.

Sidoqoftë, shumica e gjysmë milion ndjekësve në profilin e saj në Instagram janë shtuar vetëm javën e fundit, kur ajo u bë një figurë globale. Ishte fillimisht incidenti jashtë shtëpisë ku po zhvillohej ceremonia mortore e futbollistit, ku asaj iu ndalua hyrja nga Claudia Villafane, e cila e kërcënoi se “do të ma paguash” para kamerave. Më pas erdhi një seri intervistash pak a shumë ekskluzive, ku qëllimi duket se është i njëjtë: të hidhen akuza dhe dyshime mbi ata që në 2018, pasi u nda me Diegon, e nxorën jashtë klanit.

Duke mos qenë e martuar me Maradonën dhe duke mos pasur të drejtë të kërkojë një pjesë të ligjshme të trashëgimisë, asaj nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shfrytëzojë popullaritetin.

Lufta për pasurinë që la pas Maradona ka filluar. Ajo premton të jetë shumë e ashpër dhe me një listë të gjatë pretendentësh. “Torta” vlen 70 milion dollarë, të gjithë duan një copë, kështu që procesi do të jetë i gjatë. Kjo edhe sepse misteret janë të shumta.

Një nga misteret kryesore daton në vendimin e Maradonës për të hequr ish-gruan e tij Claudia dhe vajzat Dalma dhe Giannina nga testamenti, kur zbuloi se i munonin gjashtë milionë dollarë përveç zhdukjes së 458 relikteve, mes tyre medalje dhe bluza. Çështja civile për këtë është ende e hapur.

"Claudia ishte e përjashtuar nga trashëgimia", tha avokati i ish-gruas së saj, Elba Marcovecchio, duke shpjeguar se Villafane humbi të drejtën e trashëgimisë në 2004 kur u divorcua nga Diego. "Fëmijët do të trashëgojnë pjesë të barabarta", shtoi avokati.

Dalma dhe Giannina pretendojnë pjesën e tyre legjitime, pastaj Diego jr, Jana dhe Diego Fernando. Po të tjerët? Nëse llogariten katër kubanë dhe të paktën dy argjentinas që pretendojnë të jenë edhe fëmijët e Maradonës, numri arrin në 11, sa një ekip futbolli. Sidoqoftë, për të pasur një pjesë të pasurisë, ata duhet fillimisht t’i nënshtrohen testit të ADN-së, që mund të kërkojë edhe zhvarrimin e Maradonës. Siç duken gjërat, kjo do të jetë një telenovelë me shumë pjesë!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy