
Ministri i Brendshëm Taulant Balla vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe shoqërinë civile lidhur me luftën ndaj radikalizmit e ekstremizmit në Shqipëri, si dhe rehabilitimin dhe ri-integrimin e këtyre personave të riatdhesuar nga zonat e konfliktit.
Gjatë prezantimit të mekanizmit kombëtar të referimit kundër ekstremizmit, ministri Balla tha se vendi ynë ka praktikat më të mira në rajon për luftën ndaj ekstremizmit dhe rehabilitimin e viktimave.
Ai shtoi se të gjitha institucionet po punojnë për krijimin e një strategjie edhe më të fortë kundër radikalizmit.

Shqipëria është një model suksesi në luftën kundër ekstremizimit të dhunshëm dhe radikalizmit.
Në përvojën e vendit tim në promovimin e vlerave të përbashkëta të paqes, dialogut, parandalimit të konflikteve dhe kundërvënies ndaj terrorizmit, ka mbizotëruar ideja e parandalimit të radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Prej vitit 2018 e në vazhdim, Shqipëria i ka shtuar çdo vit e më tepër përpjekjet për kundërshtimin dhe luftimin e ekstremizmit te dhunshëm.
Gjatë këtyre viteve kemi bërë të mundur ngritjen e mekanizmave efikas në nivel lokal dhe këtu janë prefektët, të cilët do të kenë mundësi ta evidentojnë, së pari për evidentimin, sinjalizimin dhe për adresimin e çdo forme radikalizmi dhe ekstremizmi të dhunshëm, sidomos me fokus të veçantë te të rinjtë pa harruar dhe shtresat vulnerabël.
Me porosi të veçantë kemi ngritur 12 komitetet rajonale, të cilat do të shërbejnë si mekanizma kombëtare referimi për çdo platformë ndërinstitucionale, të cilat do të krijohen pranë Ministrisë së Brendshme, ku institucionet e ndryshme të përfshira në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm do të mbledhin informacion dhe do të bashkëpunojnë për të analizuar dhe adresuar çështjet e kërcënimit dhe të rreziqeve në një nivel kombëtar.
Përmes këtij urdhri kemi siguruar po ashtu dhe udhëzimet e qarta për të 12 prefektët e qarqeve nën koordinimin e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për të cilët kërkohet edhe bashkëpunimi i të gjithëve që jemi këtu, në përmbushjen e kësaj iniciative për të krijuar strategji konkrete për adresimin e çështjeve e problematikave që kanë të bëjnë me parandalimin të radikalizmit, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, por mos harroni asnjëherë, është detyra jonë të bëjmë gjithçka për rehabilitimin e të riatdhesuarve nga zonat e konfliktit.
Është me vend të theksojmë sot se që prej rikthimit të parë të shtetasve nga zonat e konfliktit, nga Siria apo Iraku në vitin 2020, modeli i ndjekur nga ne, bashkëpunimi ndërinstitucional, profilizimi i aktorëve të vijës së parë dhe mbështetja e ofruar në rehabilitimin dhe ri-integrimin e çdo familjeje dhe individi të kthyer nga zonat e konfliktit, e ka rreshtuar Shqipërinë tonë në praktikën më të mirë në rajon dhe ndoshta dhe më shumë sesa rajoni.



