I vetëm në garë, "Kastrati" "përpin" tenderin 17.3 miliard lekësh për karburantin e shtetit

I vetëm në garë, "Kastrati" "përpin" tenderin 17.3 miliard lekësh për karburantin e shtetit

Në datën 30 mars 2022, në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik u shpall tenderi me objekt "Blerje Karburanti, përveç Jet A1" ndarë në 5 (pesë) lote, me fond limit 17.3 miliardë lekë pa TVSH, me afat të fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave, datën 03.05.2022; ora: 11:00; pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Tiranë.

Sipas Dokumentave Standarde të Tenderit bëhet fjalë për blerjen e 9,547,291 litër karburant, i ndarë në 5 lote me kohëzgjatje kontrate nga 2 deri në 4 vjet.

Në datën 10 qershor 2022, po në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik u shpall fituesi i 5 loteve të tenderit 17.3 miliardë lekë pa TVSH, të gjitha me një operator në garë, pra pa garë,  me vlerë kontrate sa 100% të vlerës së fondit limit si dhe fituar nga i njëjti operator ekonomik.

Kështu:

Lotin I: “Furnizim me lëndë djegëse për automjete Diesel (Gazoil)”, me afat të marrëveshjes kuadër 4 vjet, me fond limit 12.3 miliard lekë dhe vlerë kontrate 12.3 miliard lekë, fituar nga bashkimi i operatorëve Kastrati shpk dhe Kastrati Group sha, si operator i vetëm në garë.

Lotin II: “Furnizim me lëndë djegëse për automjete Benzine pa plumb” me afat të marrëveshjes kuadër 3 vjet, me fond limit 4.6 miliard lekë dhe vlerë kontrate 4.6 miliard lekë, fituar nga bashkimi i operatorëve Kastrati shpk dhe Kastrati Group sha, si operator i vetëm në garë.

Lotin III: “Furnizim me lëndë djegëse për automjete Diesel (Gazoil)”, me afat të marrëveshjes kuadër 2 vjet, me fond limit 299 milion lekë dhe vlerë kontrate 299 milion lekë, fituar nga bashkimi i operatorëve Kastrati shpk dhe Kastrati Group sha, si operator i vetëm në garë.

Lotin IV: “Furnizim me lëndë djegëse për automjete Benzine pa plumb”, me afat të marrëveshjes kuadër 2 vjet, me fond limit 10.5 milionë lekë dhe vlerë kontrate 10.5 milion lekë, fituar nga bashkimi i operatorëve Kastrati shpk dhe Kastrati Group sha, si operator i vetëm në garë.

Lotin V: “Furnizim me lëndë djegëse për automjete Diesel (Gazoil)”, me afat të marrëveshjes kuadër 3 vjet, me fond limit 50 milion lekë dhe vlerë kontrate 50 milion lekë, fituar nga bashkimi i operatorëve Kastrati shpk dhe Kastrati Group sha, si operator i vetëm në garë.

Në kushtet e krizës së thellë që po kalon vendi, veçanërisht në fushën e karburanteve, qeveritarët u rekomandojnë qytetarëve të mos përdorin automjete por kjo nuk vlen për ta. 

Ne jemi të sigurt që institucionet shtetërore në përmbushje të detyrave të tyre funksionale, kanë nevoje edhe për blerje karburanti, por është e papranueshme që në çdo rast institucionet që kanë detyrim ligjor mirëmenaxhimin e fondeve publike, të blejnë karburant me vetëm një operator në garë, në kushtet kur tregu ofron qindra të tillë, si dhe ku vlera e kontratës të jetë sa 100% e vlerës së fondit limit. E aq më tepër kur përfitohen nga një grusht operatorësh ekonomikë që funksionojnë në tregun e prokurimeve si monopole.

Ju kujtojme këtu se, nga viti 2014 janë shpenzuar 306 miliard lekë për karburantin e qeveritareve, në të njëjtat kushte si 5 tenderat për të cilët po flasim sot, kryesisht pa garë, sa 100% e fondit limit dhe ku përfitues është një nga 5 kompanitë që kanë monopolin e karburanteve në Shqipëri, të cilat kanë përfituar 77% të vlerës total të prokuruar, ndërsa pjesa tjetër përfitohet nga gati 200 kompani që ofrojnë të njëjtin shërbim. Emisioni investigativ "Xhadat" i ka publikuar këto fakte që në episodin e tij të parë. 

Po cili është institucioni që ka prokuruar  17.3 miliardë lekë pa TVSH, ose 14 milion euro karburant në këtë kohë krize? 

Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara (ish-Drejtoria e Prokurimeve të Përqëndruara pranë Ministrisë së Brendshme), u krijua nëpërmjet VKM Nr. 81, datë 14.2.2018 "Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara", me firmën e vetë Kryeministrit 

Sipas kësaj VKM-je, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara është një institucion në varësi të Ministrit të Brendshëm dhe funksionon si organ qendror blerës, i autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të përcaktuara në akte nënligjore përkatëse, si dhe ka buxhetin e vet, i cili është pjesë e buxhetit të Ministrisë së Brendshme.

Që nga krijimi, por veçanërisht së fundmi, pranuar edhe nga organet ligjzbatuese, ky institucion është karakterizuar nga abuzimi me fondet publike, klientelizmi, mungesa e transparencës dhe garës në procedurat e prokurimit publik si dhe shkelja e ligjit.

Mjafton t'ju sjellim në vëmendje rastin e tenderit miliardësh të uniformave hetuar edhe nga SPAK, tenderat miliardësh të furnizimit me ushqime të institucioneve, tenderat miliardësh për shërbimin e lavanderisë në institucionet shëndetësore, apo edhe tenderat miliardësh të karburantit për institucionet qendrore dhe vendore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy