
Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, Bahri Shaqiri, iu ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, zv.kryeministri Erjon Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, t’i përgjigjen letrës së Kreut të Shtetit, Ilir Meta, për alarmin e dhënë një ditë më parë se Ballkani do të tronditet nga një tërmet apokaliptik.
Këshilltari i Presidentit të Republikës për Çështjet e Sigurisë Kombëtare Bahri Shaqiri, vijon që t'u qëndrojë deklarimeve në letrën që i dërgoi kryeministrit Rama ku paralajmëronte se Shqipëria do të përfshihet nga një tërmet apokaliptik, i cili do të prekë Ballkanin duke cituar sizmiologun grek Akis Tsenelis. Shaqiri u shpreh sot se letra u dërgua pas shqetësimit të sizmiologut grek Akis Tsenelis dhe pasqyrimit sipas tij në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare.
"Presidenti iu drejtua dje me një kërkesë për informacion Ramës, Braçes dhe ministres së Mbrojtjes mbi kapacitet dhe masat për parandalimin e fatkeqësive natyrore. Kërkesa ishte për parandalimin e pasojave të mundshme për qytetarët. Pas shqetësimit të drejtorit grek për tërmet për riskun potencial për një fatkeqësi natyrore në mediat ndërkombëtare. Meta me përgjegjësi të plotë ka zgjedhur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi për të marrë masat e plota në të mirë të qytetarëve. Greqia nuk është fqinje e Zelandës së Re, por e Shqipërisë. Të marrim masa për një fatkeqësi natyrore, që nuk është paralajmëruar nga Presidenti.
Rama ka për detyrë t’i përgjigjet me seriozitet kërkesës së Metës. Presidenti garanton se askush nuk do ta ndalojë në ushtrimin e kompetencave në mbrojtje të qytetarëve. Rrjedhja e kërkesës për informacion për të manipuluar tregon shmangien dhe zhvendosjen nga kriza. Kryeministri dhe ministrat duhet të përgjigjen. Cdo nënvlerësim do të shënohet me vëmendje nga Presidenti. Ne do i vendosim në dispozicion një listë me mediat kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë shkruar për këtë gjë", tha ai.



