Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e rezistencën sociale, përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare.
Ai tha se i vjen turp se si Shqipëria, e cila është vend i NATO-s, proteston për pasojat e luftës në Ukrainë.
Kreu i qeverisë bëri me dije se janë 3.6 miliardë lekë me të cilat do të indeksohen pensionet, gjë që do të reflektohet qysh në muajin e ardhshëm.
Për 434 mijë përfitues do kompensojmë rritjen e çmimeve të shportës, që sipas INSTAT është 7%. Do të japim 30 mijë lekë për tre muaj rresht për pensionistët me më pak se gjysma e pagës, invaliditetit, persona me aftësi të kufizuara dhe familjes në skemën e ndihmës ekonomike. 434 mijë përfitues nga kjo paketë për 3 muaj do të marrin 90 mijë lekë, 30 mijë lekë çdo muaj. Këta janë ata që duhet normalisht të flasin dhe dëgjojmë ne në radhë të parë. 1.4 miliardë lekë mbështetje për fermerët për naftë. Atyre në bulevard që mbrojnë fermerët, mësojeni se fermerët e republikës së Shqipërisë, e kanë naftën pa taksa. Do të mbështeten të gjithë qytetarët që përdorin transportin urban. 500 milionë lekë për të paguar diferencën e çmimit të biletës që asnjë qytetar të mos preket na rritja e çmimit të biletës.
Rama tha se do të afrohet me dy muaj, zerimi i taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe uljen e taksave për të gjithë pagat, deri në një milion lekë.
Kryeministri tha se në muajin prill, paga minimale do të jetë 320 mijë lekë të vjetra.
Nga ana tjetër bëri me dije se do të ofrohen subvencione për çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.
Paketa e Rezistencës Sociale me shtatë pika
1- 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë USD, për indeksimin e menjëhershëm të pensioneve. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.
2- Për 434 mijë përfitues, do të kompensojmë me lekë në dorë rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra.
Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra, për 3 muaj rresht, për këto kategori:
-Pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale
-Pensionistë të invaliditetit
-Pensionistë që jetojnë vetëm
-Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër
-Të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike
3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD e cila do të derdhet menjëherë.
4 - Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit.
5 – Afrohet dy muaj përpara futja në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si edhe uljen e takses mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të reja.
Këto masa lehtësuese do të reflektohen në pagat e prillit dhe prej tyre do të përfitojnë 360 mijë të punësuar.
Numri i të punësuarve në Shqipëri që paguajnë zero taksë mbi pagën, arrin një shifër që s’e ka askush në rajon, 56%!
6 – Afrohet me dy muaj përpara edhe futja në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra.
7 - Shtohet me 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë USD, financimi i mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.



